Në një zhvillim të pazakontë, dy anije kontejnerësh në pronësi të kompanisë shtetërore kineze Cosco Shipping janë detyruar të kthehen mbrapsht pa kaluar nëpër Ngushtica e Hormuzit mëngjesin e së premtes. Lajmi bëhet i ditur nga shërbimi i monitorimit detar MarineTraffic si dhe nga burime të marinarëve kinezë pranë zonës.

Dy anijet, CSCL Indian Ocean dhe CSCL Arctic Ocean, ndryshuan kurs pranë ishullit Larak, rreth 20 milje larg portit Bandar Abbas në jug të Iranit. Ditët e fundit, disa mjete lundruese kishin arritur të kalonin përmes një korridori të ngushtë detar mes ishujve Qeshm dhe Larak, përfshirë edhe anije me pronësi dhe ekuipazh kinez.

Ndërkohë, Garda Revolucionare Islamike e Iranit njoftoi se kishte detyruar të kthehen tre anije kontejnerësh me kombësi të ndryshme që tentuan të kalonin ngushticën. Sipas agjencisë Nour News, tashmë është ndaluar çdo qarkullim detar drejt dhe nga portet e vendeve që mbështesin SHBA-në dhe Izraelin.

Burime nga industria detare, të cituara nga Wall Street Journal, bëjnë të ditur se aktualisht lejohen të kalojnë vetëm anijet që transportojnë mallra drejt Iranit, si produkte shtëpiake, automjete, veshje dhe barna.

Një zhvillim tjetër i rëndësishëm është se javën e kaluar Irani lejoi kalimin e katër anijeve të ngarkuara me drithëra në drejtim të kundërt, pas një pritjeje prej afro tre javësh në Gjirin e Omanit. Këto anije shkarkuan në portin Bandar Imam Khomeini, ku rreth tre të katërtat e volumit të mallrave përbëhen nga importe drithërash, kryesisht nga Rusia dhe Amerika e Jugut.