Britania e Madhe do të organizojë këtë javë një takim me rreth 35 vende që janë të gatshme të angazhohen për rikthimin dhe garantimin e sigurisë së transportit detar në Ngushticën e Hormuzit, njoftoi sot kryeministri britanik, Keir Starmer.

“Britania e Madhe ka bashkuar tashmë 35 vende rreth qëllimit tonë për të vepruar së bashku për sigurinë detare në Gji. Këtë jave, sekretarja  e Jashtme do të presë për herë të parë një takim të këtyre vendeve”, deklaroi Starmer gjatë një konference për shtyp në Downing Street.

“Në takim do të vlerësohen të gjitha masat diplomatike dhe politike të mundshme që mund të ndërmerren për të rikthyer lirinë e lundrimit, për të garantuar sigurinë e anijeve dhe marinarëve dhe për të rifilluar qarkullimin e mallrave jetike”, shtoi Starmer.

Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga pikat më strategjike në botë për tregtinë e naftës, pasi një pjesë e madhe e eksportit global kalon përmes saj, duke e bërë stabilitetin në këtë zonë jetik për ekonominë ndërkombëtare.