Një gjykatës federal në SHBA ka rrëzuar shumicën e pretendimeve në padinë për ngacmim seksual që aktorja Blake Lively kishte ngritur ndaj kolegut të saj në filmin “It Ends with Us”,  Justin Baldoni.

Gjykatësi Lewis Liman hodhi poshtë 10 nga 13 akuzat e paraqitura nga Lively, përfshirë ato për ngacmim dhe shpifje.

Megjithatë, gjykata la në fuqi tre prej pretendimeve kryesore ndaj Baldoni-t; shkelje kontrate, hakmarrje (retaliation) dhe ndihmë në hakmarrje, të cilat pritet të shqyrtohen në një proces civil në New York më 18 maj.

Beteja ligjore në Hollywood nisi në vitin 2024, kur Lively paditi Baldoni duke e akuzuar për sjellje të papërshtatshme dhe një fushatë për të dëmtuar imazhin e saj gjatë xhirimeve të filmit. Baldoni i ka mohuar akuzat dhe ka paraqitur kundërpadi.

Një nga avokatet e Lively, Sigrid McCawley, deklaroi për CBS se çështja “ka qenë dhe mbetet e fokusuar tek hakmarrja shkatërruese dhe hapat e jashtëzakonshëm që të paditurit ndërmorën për të dëmtuar reputacionin e aktores”.

Procesi i ardhshëm pritet të përcaktojë nëse akuzat e mbetura do të qëndrojnë në gjykatë dhe çfarë pasojash ligjore mund të ketë për palët e përfshira.