Të premten, Shtëpia e Bardhë publikoi projekt-buxhetin, nga i cili dolën detaje mjaft interesante. Në dokument, përmendet një listë ndërhyrjesh që kërkojnë miratimin e Kongresit për të siguruar financimin. Ndër këto, është edhe dëshira e presidentit Donald Trump për të riaktivizuar ish-burgun federal të Alcatrazit, në gjirin e San Francisco.
Në maj të vitit të kaluar, presidenti shkroi në rrjetet sociale se kishte ngarkuar “Bureau of Prisons, së bashku me Departamentin e Drejtësisë, FBI dhe Departamentin e Sigurisë Kombëtare, për të rihapur një Alcatraz të zgjeruar dhe të rindërtuar, për të pritur kriminelët më të egër dhe të dhunshëm të Amerikës”.
Duke hyrë më në detaje, Trump ka kërkuar një financim prej 152 milionë dollarësh për të mbuluar shpenzimet e vitit të parë të rikthimit të Alcatrazit si burg, që do të shërbente për kriminelët më të rrezikshëm të SHBA.
Kjo do të ishte pjesë e një kërkese më të madhe për financim, që arrin në 1,7 miliardë dollarë për administratën, me qëllim përforcimin e burgjeve dhe rritjen e pagave për stafin që punon aty.
Aktualisht, i famshmi burg i Alcatrazit funksionon si muze dhe destinacion turistik, duke tërhequr çdo vit mbi 1,2 milionë vizitorë. Ish-burgu federal me siguri të lartë ndodhet në një ishull rreth 2 km larg bregut të San Franciskos dhe ishte operativ nga 11 gushti 1934 deri më 21 mars 1963, përpara se të mbyllej për shkak të gjendjes së tij të dobët strukturore dhe kostove të larta të mirëmbajtjes, që atëherë arrinin 3-5 milionë dollarë për rikonstruksion.
Burgu ka pritur kriminelët më të njohur, përfshirë emra si Al Capone, Robert Franklin Stroud, George ‘Machine Gun’ Kelly dhe Bumpy Johnson.
Edhe pse sot funksionon si muze, Trump ka deklaruar se që në 2025 synon ta kthente Alcatrazin në burg me siguri maksimale, duke i dhënë detyrë Bureau of Prisons.
Megjithatë, plani i tij ka hasur në pengesa politike. Edhe qyteti i San Franciscos nuk është i kënaqur me idenë për të humbur këtë atraksion turistik të çmuar. Siç raportoi New York Times, kryebashkiaku Daniel Lurie e ka quajtur këtë propozim “jo serioz”.





