Teksa në disa qytete Shoqatat e Transportit reaguan pozitivisht pas deklaratës së Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu për rihapjen e transportit publik, në qytetin e Durrësit nuk dihet ende se çfarë do të ndodhë.

Durrësi nuk është ende gati (të paktën edhe për këtë javë) që të rinisë punë në përputhje me masat kufizuese për parandalimin e përhapjes së Covid-19, ndonëse në qytete si Shkodra, Korça dhe Vlora punonjësit e transportit publik kanë deklaruar se do të rifillojnë prej ditës së nesërme.

“DurrësLajm” mëson se që ky shërbim të rifillojë aktivitetin në qytetin bregdetar me 70% të kapacitetit duhet të merren në konsideratë katër kërkesat e bëra më herët publike nga Unioni i Shoqatave të Transportit Publik:

1.Heqjen e akcizës dhe taksave për blerjen e karburantit nga shoqëritë e transportit publik (njësoj siç është për industrinë e peshkut).

Zbritjen e TVSH-së në shitje nga 20% në 0% për vitin 2020 dhe rikthimin e saj në nivelet e turizmit 6%, pasi edhe transporti është një nga hallkat thelbësore të zhvillimit të tij.

3.Rimbursimin e kapacitetit të munguar si arsye e protokollit të sigurisë.

4.Rimbursimin e kategorive, të cilat përfitojnë shërbimin falas në burim, në respekt të ligjit nr.37, datë 10.04.2014.

Ashtu siç është theksuar gjatë kësaj kohe kur përfaqësuesit e trasportit publik në mbarë Shqipërinë kanë protestuar për ditë me radhë në kryeqytetet, edhe drejtuesit e këtij sektori në Durrës nuk parashikojnë rritje çmime të biletës për qytetarët.

Por nëse në Durrës nuk ka një datë konkrete se kur do të rinisin punë linjat e urbanëve, “DurrësLajm” mëson se kur kjo të ndodhë, numri i autobusëve në qytetin bregdetar do të rritet me 50% në oraret kur është piku i pasagjerëve, kryesisht në orën 07-08 të mëngjesit dhe 16-17 të pasdites.

Transporti publik ka pezulluar punën prej 4 muajsh për shkak të pandemisë, dhe ndonëse qeveria doli disa herë me data konkrete për rifillimin e aktivitetit, Unioni i Shoqatave të Transportit Publik ka kundërshtuar.

Sipas tyre, ky lloj shërbimi nuk mund të kryhet sipas protokollit të propozuar nëse nuk do të ketë njëkohësisht ndërhyrjen e strukturave shtetërore për subvencionimin e kapacitetit të munguar si rezultat i zbatimit të këtyre masave.

G.D.