Nga Aleksandër Cangonja
Sabri Dermani (1886–1934), lindur dhe ndarë nga jeta në Durrës, ishte një tregtar i njohur dhe veprimtar i përkushtuar i çështjes kombëtare.
I shkolluar në Shkodër, ai iu përkushtua tregtisë, gjë që i dha mundësinë të udhëtonte shpesh jashtë vendit. Nga këto udhëtime sillte libra dhe materiale në gjuhën shqipe, duke ndihmuar në përhapjen e arsimit dhe ndërgjegjes kombëtare.
Që pas Revolucioni Xhonturk, u angazhua aktivisht në lëvizjen patriotike dhe ishte pjesë e klubit të patriotëve të Durrësit. Në vitin 1914, gjatë trazirave, u detyrua të largohej në Itali, ndërsa prona e tij u shkatërrua.
Pas kthimit, u arrestua nga forcat e Esat Pashë Toptani dhe u detyrua të kryente punë të rënda fizike, përfshirë ndërtimin e rrugëve. Më pas u internua në Shkodër, ku qëndroi deri në ardhjen e austro-hungarezëve.
Sabri Dermani mbetet një figurë që ndërthurte sipërmarrjen me atdhetarinë, duke kontribuar si në zhvillimin ekonomik, ashtu edhe në përhapjen e gjuhës dhe ndërgjegjes kombëtare.





