Nga BUJAR QESJA

E deshi qytetin pa kushte

Ka njerëz, që largohen nga kjo botë, duke lënë pas zhurmë. Ka të tjerë, që largohen duke lënë pas kujtime, respekt dhe mall. Këta të dytët janë më të rrallët, sepse vlerat e tyre, nuk maten me postet që kanë mbajtur, por me gjurmën njerëzore që lënë në zemrat e të tjerëve. I tillë ishte dhe mbeti Edmir Shyqyri Kapidani.

Kur u nda nga jeta, më 28 gusht 2023, pas një sëmundjeje të gjatë dhe të pamëshirshme, Durrësi humbi nga bijtë e tij të zgjedhur. Humbi një njeri i urtë, i kulturuar, i ndershëm dhe i përkushtuar ndaj qytetit, familjes dhe miqve.

Në jetë u bë mësues, drejtues politik, funksionar shtetëror, administrator dhe intelektual. Por, mbi të gjitha, mbeti qytetar i vërtetë durrsak, njeri që nuk e ndërtoi emrin mbi konfliktin, por mbi mirëkuptimin, jo mbi protagonizmin, por mbi punën, jo mbi fjalët e mëdha, por mbi shembullin personal.

Ata që e kanë njohur nga afër, kujtojnë qetësinë, mënyrën e matur të të folurit, logjikën me të cilën analizonte çdo situatë dhe aftësinë, për të krijuar ura mirëkuptimi mes njerëzve. Kapidani nuk ishte njeri i përplasjeve, por i dialogut. Në kohën kur shoqëria shqiptare, u përfshi nga ndryshime të mëdha politike e shoqërore, Edmir Kapidani mbeti i njëjti, i ndershëm, i drejtë dhe besnik ndaj parimeve të tij.

Historia e jetës, është historia e një djaloshi të lindur, pranë mureve shekullore të Durrësit, i edukuar në një familje me tradita qytetare, i formuar me dashurinë për dijen dhe i përkushtuar ndaj njerëzve. Prandaj kujtimi për Edmir Kapidanin, nuk është vetëm kujtimi për një ish drejtues politik apo funksionar shtetëror. Është kujtimi edhe për një njeri të mirë, për një qytetar shembullor dhe për një durrsak, që e deshi qytetin e tij pa kushte.

Rrënjët e fisit Kapidani nga Ulqini në Durrës

Asnjë njeri nuk ndërtohet rastësisht. Karakteri, virtytet dhe botëkuptimi, mbajnë gjithmonë gjurmët e familjes nga e cila vjen. Edhe Edmir Kapidani, ishte fryt i një dere të nderuar, me rrënjë të thella qytetare dhe me tradita të spikatura atdhetare.

Familja Kapidani, e ka origjinën nga Ulqini, qyteti i njohur i detarëve dhe i lundërtarëve të zotë. I pari i fisit, Ahmeti, përmendet si njeri i lidhur ngushtë me detin, lundërtar me emër dhe me autoritet. Nga ky trung familjar lindi Sulejman Kapidani, gjyshi i Edit, i cili do të mbetej figurë e njohur në historinë e lundrimit shqiptar, duke u përmendur si komandanti i parë i Flotës Tregtare Shqiptare.

Në këtë familje u rrit edhe Shyqyri Kapidani, i ati i Edmirit. I diplomuar në Pavia të Italisë për financë, Shyqyriu u bë nga ekonomistët dhe financierët e shquar të kohës. Kultura e gjerë, serioziteti dhe korrektësia profesionale, e bënë atë emër të respektuar.

Nga ana e nënës, Edmiri trashëgoi po ashtu traditë të pasur qytetare. Aishe Beja, e bija e tregtarit të njohur Ismail Beja dhe e Hajrije Stërmasit nga Tirana. Përfundoi Institutin Femëror “Nëna Mbretëreshë”, nga institucionet më autoritarer të arsimit shqiptar dhe punoi gjithë jetën si mësuese.

Nga i ati, Edmiri trashëgoi urtësinë dhe disiplinën, ndërsa nga e ëma, dashurinë për arsimin dhe kulturën. Në familjen Kapidani sundonin rregulli, ndershmëria, respekti për dijen dhe dashuria për punën. Këto vlera, do ta shoqëronin Edin gjithë kohën. U rrit së bashku me dy motrat, Lumturinë dhe Melindën. Të tre fëmijët e familjes Kapidani, ndoqën rrugën e dijes dhe të arsimimit, duke u bërë njerëz të njohur në profesionet e tyre.

Në këtë mjedis të shëndoshë familjar, u formua karakteri i djaloshit që më vonë do të bëhej mësues, drejtues dhe qytetar i dashur për durrsakët.

Fëmijëria në zemër të Durrësit

Edmir Kapidani, lindi në Durrës më 13 shtator 1952. U rrit në zemër të qytetit të lashtë, pranë Amfiteatrit, në një lagje ku njerëzit njiheshin me njëri tjetrin, ku dera e fqinjit ishte gjithmonë e hapur dhe ku miqësitë, ndërtoheshin për gjithë jetën.

Ishte fëmijëri e thjeshtë, por e mbushur me dashuri njerëzore dhe me edukatë qytetare. Që në moshë të vogël, tregoi prirje për dijen, për sportin dhe për marrëdhëniet njerëzore. Në rininë e hershme, ushtroi notin dhe u bë pjesë e ekipit të të qytetit. Miqtë e asaj kohe, e kujtojnë si djalë me fizik tërheqës, elegant, të qeshur dhe me natyrë të qetë.

Pjesë e brezit të rinisë durrsake, që jetonte me shëtitjet tek “Vollga”, me miqësitë e pastra dhe me ëndrrat për të ardhmen. Asgjë nuk e largoi nga vendlindja. Edhe kur jeta dhe detyrat e çuan në qytete të tjera, zemra e tij mbeti gjithmonë në Durrës. Ky qytet do të bëhej dashuria e përhershme, pika e dobët dhe krenaria më e madhe.

Rruga e dijes dhe misioni i mësuesit

Pas përfundimit të shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti”, Edmir Kapidani zgjodhi rrugën e dijes. U diplomua në vitin 1975-së në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, dega Matematikë. Zgjedhje jo e rastësishme. Matematika kërkon logjikë, disiplinë, qartësi mendimi dhe durim. Ishin pikërisht këto cilësi, që e dallonin Edin si njeri.

Sapo përfundoi studimet, emërohet mësues në Krumë të Hasit. Për shumë të rinj të asaj kohe, emërimi në veri të vendit, tregonte për sprovë të vërtetë. Ishte larg familjes, larg qytetit të lindjes dhe larg kushteve komode. Por Edmiri, nuk u ankua. E trajtoi atë periudhë, si detyrë dhe mision.

Në Krumë gjeti njerëz të mirë, të ndershëm dhe punëtorë. Aty lidhi miqësi, që do ta shoqëronin gjatë gjithë jetës. Nga këto miqësi, veçohet ajo me mësuesin dhe intelektualin e njohur shijakas Lutfi Duka, me të cilin punoi për disa vite dhe ruajti respekt e vlerësim të pa cënuar.

Nxënësit e kujtojnë, si mësues të përgatitur, të qetë dhe të drejtë. Nuk e ngrinte zërin. Nuk përdorte ashpërsinë, për të diktuar autoritetin. Pozicionin e fitonte me kulturë, me dije dhe me shembull. Pas shtatë vitesh pune në Has, Edi vazhdoi detyrën në Shkollën e Bashkuar të Luzit të Vogël në Kavajë. Edhe aty, u dallua për përkushtimin dhe seriozitetin.

Në fund të vitit 1989-të, Edmir Kapidani u rikthye në qytetin e lindjes. Fillimisht punoi në Shkollën e Mesme Industriale të Durrësit dhe më pas në gjimnazin “Gjergj Kastrioti”, aty ku dikur kishte qenë nxënës. Për një mësues, nuk ka kënaqësi më të madhe, se të japë mësim në shkollën ku është formuar.

Në bankat e shkollës dhe në marrëdhëniet me kolegët, fitoi vlerësimin e të gjithëve. I saktë, korrekt dhe i papërtuar. Arsimin e shikonte, si themelin e zhvillimit të shoqërisë. Pikërisht këto cilësi, do ta afronin më vonë, me përgjegjësi më të mëdha në jetën publike.

Qytetari mbi politikën

Vitet 1990-1991, sollën kohë të reja për Shqipërinë. Sistemi politik po ndryshonte, ndërsa vendi po kalonte në rrugë të panjohur, por të shumëpritur. Edmir Kapidani, nuk qëndroi indiferent ndaj këtyre zhvillimeve. Megjithëse nuk vinte nga familje e persekutuar politikisht, përqafoi idealet e demokracisë, pluralizmit dhe lirisë.

Në zgjedhjet e para pluraliste të vitit 1992, u zgjodh anëtar i Këshillit Bashkiak të Durrësit, duke fituar besimin e qytetarëve. Po atë vit dhe më pas në tri mandate të ndryshme, iu besua drejtimi i Degës së Partisë Demokratike të Durrësit. Ishin vite të vështira. Shqipëria po përballej me sfida të mëdha ekonomike, sociale dhe politike.

Jeta politike e Edmir Kapidanit, zgjati shumë vite. Por ndryshe nga shumë të tjerë, politika nuk e ndryshoi në asnjë rrethanë. Pozicioni politik, nuk e tjetërsoi. Postet nuk e larguan nga njerëzit. Nuk e ndau qytetin, në “tanët” dhe në “të tjerët”.

Njerëzit nuk i shikonte dhe çmonte nga bindjet, por nga vlerat njerëzore. Në një kohë, kur shoqëria shqiptare ishte dhe vazhdon të jetë e polarizuar, politika shpesh krijon ndarje edhe brenda familjeve, Edmir Kapidani ruajti marrëdhënie të mira me të gjithë.

Vazhdoi të ulej, në të njëjtat tavolina me miqtë e vjetër. Vazhdoi të pinte kafen me shokët e rinisë. Vazhdoi t’i përshëndeste të gjithë, me të njëjtën ngrohtësi. Durrsakët e respektonin pikërisht për këtë. Edhe ata që nuk ndanin të njëjtat bindje politike, nuk e mohuan qytetarinë, korrektësinë dhe ndershmërinë e Edit.

Nuk përdori politikën për hakmarrje. Nuk e përdori për përfitime personale. Nuk e përdori për të krijuar ndasi. Mbeti deri në fund, qytetar i Durrësit dhe njeri i urës së komunikimit. Interesi i qytetit, ishte gjithmonë mbi interesin e grupimeve të bindjeve të ndryshme.

Dallohet për kulturë komunikimi dhe aftësi organizative. Njerëzit i besonin, sepse Kapidani, nuk premtonte më shumë sesa mund të realizonte. Nuk përdorte gjuhën e urrejtjes. Nuk e shihte politikën mjet për të ndarë njerëzit, por si mundësi për t’i bashkuar.

Edmir Kapidani i kaloi këto vite, me urtësi dhe me ekuilibër. Evitonte frymën e konflikteve. Ruajti marrëdhënie qytetare me të gjithë durrsakët, pa dallim bindjesh. Kjo ndodhte sepse dinte të dëgjonte, dinte të dialogonte dhe dinte të ruante qetësinë edhe në momentet më të vështira. Shumë prej bashkëkohësve, e trajtojnë nga drejtuesit më të ekuilibruar që ka pasur Durrësi në tranzicion.

Në shërbim të shtetit dhe arsimit

Në gusht të vitit 1995, Edmir Kapidani emërohet zëvendësministër i Arsimit dhe Sporteve. Për një njeri, që kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës në arsim, kjo detyrë ishte vazhdimësi e natyrshme. E njihte shkollën, mësuesin, nxënësin dhe problemet e arsimit shqiptar.

Gjatë kësaj periudhe, angazhohet në projektin VET-96 të programit PHARE, financuar nga Bashkimi Evropian, si Autoritet Përgjegjës dhe drejtues i grupit studimor, për ndryshimet e pritshme në arsimin e mesëm të përgjithshëm në Shqipëri.

Kjo ndihmesë, justifikon profilin si specialist i arsimit dhe administrator i aftë. Në vitin 1996-të, kreu studimet në Kolegjin dhe Akademinë e Mbrojtjes në Tiranë. Po në këtë vit, mbajti edhe detyrën e Kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Më vonë, përvoja profesionale vazhdoi edhe në Ministrinë e Mbrojtjes. Nga viti 2008-të deri në vitin 2010-të ushtroi detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Burimeve Njerëzore, Analizës dhe Planifikimit. Nga viti 2010-të deri në vitin 2013, shërbeu si Drejtor i Drejtorisë së Politikave të Sigurisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Burimeve Njerëzore të kësaj ministrie.

Karriera e tij është dëshmia se një njeri mund të ecë përpara në jetë pa humbur thjeshtësinë, krenarinë dhe respektin. Ky është suksesi më i madh i Edmir Kapidanit. Nga mësues i matematikës në Krumë, deri në detyrat më të larta shtetërore, mbeti gjithmonë i njëjti, një durrsak i urtë, një qytetar i ndershëm dhe një njeri, që e ndërtoi emrin vetëm mbi punën dhe karakterin.

Puna e tij ishte serioze dhe profesionale. Nuk kërkoi asnjëherë protagonizëm. Njerëzit që punuan me të, e kujtojnë administrator korrekt, të qetë dhe të përgjegjshëm. Më pas, vazhdoi të shërbente në institucione të rëndësishme shtetërore, duke ushtruar detyra drejtuese edhe në Ministrinë e Mbrojtjes.

Edhe aty la të njëjtën përshtypje, njeri i ligjit, i rregullit dhe i përgjegjësisë. Në të gjithë karrierën, nuk u përfol për afera, apo përfitime personale. Pasuria më e madhe, mbeti emri i mirë. Për këtë u kujdes të investonte më shumë.

Nuk ishte administrator që kërkonte zyrën. Ishte administrator që kërkonte zgjidhjen. Nuk ishte nga ata drejtues, që mbështeteshin tek autoriteti i vulës, por tek autoriteti i karakterit. Ndoshta pikërisht për këtë, në çdo institucion ku shërbeu, la pas respekt dhe jo frikë, kujtime të mira dhe jo mëri.

Njeriu që dinte të ruante miqësinë

Nga pasuritë më të mëdha të Edit, ishin miqtë. Kishte shumë shokë. I donte, i vlerësonte dhe i ruante me fanatizëm miqësitë. Për miqtë e vërtetë, mbetej i gatshëm të bënte gjithçka. Nuk zgjodhi miqësi të interesit. Besonte tek shoqëria e sinqertë dhe tek fjala e dhënë.

Ndër miqtë e tij më të afërt ishin Astrit Tahiri, i ndjeri Alqi Bebi, Luan Rexha, Vangjush Zhurka, Albert Garori, Maksim Hako, Arben Haxhihyseni dhe shumë të tjerë. Vend të veçantë në zemrën e tij, zinin Gazmend Oketa dhe Idriz Konjari, të cilët, megjithëse më të rinj në moshë, Edi i konsideronte si vëllezër.

Po aq i veçantë mbeti edhe Lutfi Duka, me të cilin ruajti miqësi të pathyeshme. Kishte aftësinë e rrallë të ruante miqësitë e hershme dhe njëkohësisht të krijonte miqësi të reja.

Tjetër cilësi i Edit, ishte përkushtimi për jetën shoqërore. Miqësitë nuk kufizoheshin vetëm tek ai. Shumë prej tyre, u kthyen në miqësi familjare. Familjet rrinin bashkë. Ndanin gëzimet dhe hidhërimet. Festonin ditëlindjet, dasmat dhe gëzimet familjare. Ishin të pranishëm në vështirësitë e njëri tjetrit.

Në shtëpinë e Edit dhe Lolës, kishte gjithmonë vend për miqtë. Mikpritja mbeti pjesë e natyrës së tyre. Një kafe, një bisedë, një darkë mes miqsh ishin për Edit momente të çmuara. E shikonte miqësinë, si pasuri që duhej ruajtur.

Është kjo një nga arsyjet, që largimi nga jeta, la boshllëk të madh jo vetëm në familje, por edhe tek shumë miq e shokë, të cilët patën fatin ta njihnin.

Familja fortesa e jetës

Në nëntor të vitit 1993, Edmir Kapidani lidhi jetën me inxhinieren mekanike Lauresha Ramadan Kalaci, e njohur për të gjithë Lola. E bija e eurditit të njohur Ramadan Kalaci dhe e Prandvera Lugës. Martesa e Edit dhe Lolës u ndërtua mbi dashurinë, respektin dhe mirëkuptimin. Përballuan çdo sfidë, e krijuan familje model.

Nga kjo martesë, erdhën në jetë tre fëmijë, Doris dhe binjakët Albi dhe Elvi. Doris u diplomua në degën e Informatikës për Sigurinë Kibernetike. Prej afro tetë vitesh punon në Departamentin e Teknologjisë së Informacionit pranë OSHE-së qendrore në Tiranë, ku ka ndërtuar karrierë të respektueshme profesionale.

Albi arsimohet në Financë, me specializim në Menaxhimin e Riskut. Punon në profesion pranë një kompanie italo-shqiptare në Tiranë, duke ndjekur traditën e seriozitetit dhe të përkushtimit të familjes. Elvi përfundoi studimet për Inxhinieri Hidroteknike dhe është angazhuar, në një studio projektimi në sektorin e menaxhimit të ujërave nëntokësore.

Për Edin, fëmijët ishin krenaria e jetës. Së bashku me Lolën, i edukuan me dashurinë për familjen, për Durrësin dhe për Shqipërinë. Asnjëri prej tyre, nuk zgjodhi rrugën e emigrimit. Të tre vendosën të jetojnë dhe të punojnë në vendin e tyre, duke dhënë ndihmesën profesionale në Shqipëri. Pasuria më e madhe që la pas, nuk ishin postet që mbajti, por familja që ndërtoi, fëmijët që edukoi dhe emri i mirë që ua la trashëgim.

Lola, e shoqja, e përshkruan Edin si njeri me karakter të fortë, por me zemër të madhe, bashkëshort që ndante çdo gëzim dhe çdo vështirësi me njerëzit. Ata ecën së bashku për rreth tridhjetë e pesë vite, duke ndërtuar familje të kristalizuar dhe të respektuar. Kjo ishte arritja më e madhe.

Durrësin dhe durrsakët i donte si veten

Nëse dikush do ta pyeste Edmir Kapidanin, se cili ishte vendi i tij i zemrës, përgjigjja do të ishte e menjëhershme, Durrësi dhe durrsakët. E deshi qytetin e tij, me një dashuri të rrallë. Pati mundësi të jetonte në Tiranë, të ndërtonte karrierë tjetërkund, por nuk e bëri këtë. Durrësi ishte dhe mbeti pjesë e qenies. Ishte qyteti i fëmijërisë, i miqve, i kujtimeve dhe i identitetit.

E njihte mirë shpirtin e durrsakëve. I donte dhe iu përkushtua njerëzve të këtij qyteti. I respektonte traditat. Për këtë shkak, ndërtoi marrëdhënie qytetare me të gjithë. Nuk i ndau njerëzit sipas bindjeve politike. Për të, mbi politikën qëndronte qytetaria. Mbi interesat e momentit, qëndronte interesi i Durrësit. Kjo e bëri të dashur dhe të respektuar Edmir Kapidanin.

Ka njerëz që jetojnë në një qytet dhe ka njerëz si Edmir Kapidani, që bëhen pjesë e shpirtit të tij. Durrësi nuk ishte vetëm vendlindja, por edhe identiteti i tij, frymëmarrja e tij, kujtesa e tij, pika e tij e dobët dhe dashuria e tij më e madhe. Edhe kur jeta e çoi për vite të tëra në Krumë, në Luz të Vogël, në Tiranë apo në detyra të larta shtetërore, zemra e tij nuk u largua kurrë nga Durrësi.

Durrësi për Edmirin, nuk ishte vetëm një koordinatë gjeografike. Ishte aroma e jodit në mëngjes, zëri i pulëbardhave mbi port, gurët e Amfiteatrit, shëtitjet tek “Vollga”, miqtë e fëmijërisë dhe kujtimet që nuk plaken. E ndiente qytetin si pjesë të vetes. Nuk mund ta mendonte jetën larg tij. Edhe kur detyra e mbante në Tiranë, mendimi i kthehej gjithmonë tek qyteti, ku kishte hedhur hapat e para.

Shpesh thoshte, se durrsaku është njeri që mund të zemërohet shpejt, por po aq shpejt di të falë dhe të ruajë miqësinë. Kjo ishte dhe mbeti filozofia e jetës që ndërtoi.

Dhe një ditë, deti i Durrësit e mori përsëri pranë vetes

Jeta e një njeriu, nuk matet me vitet që jetoi, as me postet që mbajti dhe as me titujt që mori. Matet me gjurmët, që lë në zemrat e njerëzve, me respektin që fiton dhe me kujtimin që mbetet pas largimit. Ky ishte Edmir Kapidani.

Erdhi në jetë si biri i një dere të nderuar, me rrënjë që zbresin nga detarët e Ulqinit dhe që u ngulitën me krenari në Durrësin e lashtë. U rrit me edukatën e familjes Kapidani dhe të familjes Beja, u formua me kulturën e dijes dhe të punës, për të ndërtuar më pas një jetë të tërë në shërbim të njerëzve.

Ishte mësues i përkushtuar, sepse besonte se arsimi është drita e një kombi. Ishte drejtues i urtë, sepse e kuptonte se pushteti është përgjegjësi dhe jo privilegj. Ishte politikan i qytetëruar, sepse nuk e përdori kurrë politikën për të ndarë njerëzit. Ishte familjar i rrallë, sepse mbi çdo detyrë dhe çdo angazhim vinte dashurinë për familjen.

Asnjë post nuk e ndryshoi. Asnjë detyrë nuk e largoi nga njerëzit. Asnjë privilegj, nuk e bëri të harrojë lagjen, miqtë, shokët dhe qytetin. Kur përmendet emri i Edmir Kapidanit, nuk kujtohet vetëm një ishzëvendësministër, një kryetar partie apo një funksionar i shtetit. Kujtohet një njeri i mirë. Një qytetar krenar. Një durrsak me zemër të madhe.

Në jetë nuk kërkoi lavdi dhe as duartrokitje. Nuk kërkoi të ishte në qendër të vëmendjes. Punoi në heshtje, me përkushtim dhe me ndershmëri, duke besuar se emri i mirë, është pasuria më e madhe që mund t’u lihet fëmijëve. Dhe ai e la këtë pasuri. Ia la bashkëshortes Lolës, që i qëndroi në krah deri në fund. Ia la Dorisit, Albit dhe Elvit, krenarisë së tij më të madhe. Ia la miqve, shokëve dhe bashkëpunëtorëve. Ia la Durrësit.

Njerëz si Edmir Kapidani edhe pasi largohen fizikisht, vazhdojnë të jetojnë në kujtesën e qytetit të tyre. Përpara kujtimit të tij, nuk kemi vetëm detyrimin ta nderojmë, por edhe ta falënderojmë. Ta falënderojmë për qytetarinë, që na la si shembull. Për ndershmërinë, që nuk e vuri asnjëherë në diskutim. Për urtësinë, me të cilën i kaloi sfidat. Për dashurinë, që pati për familjen dhe për Durrësin.

Valët vazhdojnë të përplasen mbi brigjet e Durrësit, ashtu siç janë përplasur prej mijëra vitesh. Pulëbardhat vijojnë të vizatojnë rrathë mbi port. Muret antike ruajnë kujtesën e brezave. Dhe në këtë përjetësi guri, deti e drite, jetoi edhe Edmir Kapidani.

Njerëzit largohen. Valët jo. Ato vijnë çdo ditë në të njëjtin breg, sikur të kërkojnë emrat e atyre, që e deshën këtë qytet me gjithë shpirt. Dhe mes tyre do të jetë gjithmonë edhe emri i Edmir Kapidanit. Sepse ka njerëz, që nuk bëhen pjesë vetëm e historisë së një qyteti. Ata bëhen pjesë edhe e frymës së tij si Edi ynë.

Sa herë që mbi Durrës, bie mbrëmja dhe dielli tretet në horizontin e “Adriatikut”, do të duket sikur deti pëshpërit një emër që nuk harrohet. Një emër të thjeshtë. Një emër fisnik. Një emër që Durrësi, do ta shqiptojë gjithmonë me respekt, Edmir Kapidani.