Forca paqeruajtëse e Kombeve të Bashkuara në jug të Libanit (UNIFIL) ka lëshuar një thirrje dramatike drejtuar ushtrisë izraelite dhe militantëve të Hezbollahut, duke kërkuar mbrojtje të menjëhershme për personelin e saj.
Zëdhënësja e UNIFIL-it, Kandice Ardiel, përmes një reagimi në platformën X, ka bërë të ditur se trupat ndërkombëtare janë vënë në rrezik serioz për shkak të të shtënave “mbi ose pranë” pozicioneve të tyre. Bilanci i ditëve të fundit është tragjik: të paktën tre paqeruajtës janë vrarë si pasojë e sulmeve gjatë javës së kaluar.
“U rikujtojmë të gjithë aktorëve në terren detyrimin e tyre për të garantuar sigurinë e personelit të OKB-së dhe për të respektuar paprekshmërinë e ambienteve tona në çdo kohë”, deklaroi Ardiel.
Përtej sigurisë së trupave, UNIFIL kërkon ndalimin e menjëhershëm të armiqësive, duke argumentuar se forca e armëve vetëm sa po shton numrin e viktimave civile dhe shkatërrimin e infrastrukturës.





