Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në ditën e përfundimit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore deklaroi se kjo nuk e ul gatishmërinë e autoriteteve përballë Covid-19, pasi epidemia vijon të jetë aktive në vendin tonë.

Ministrja deklaroi se do të vijojnë të mbeten në fuqi të gjitha masat e marra; pra nuk do të lejohen grumbullimet, do të vijojë karantinimi i personave që janë të infektuar etj.

Manastirliu u shpreh se çdo thyerje e rregullave do të vijojë të kërcënohet kërcënim për popullatën.

Situata epidemiologjike ka pasur një trend rritje ditët e fundit, prandaj ministrja kërkoi rritjen e vetëdijësimit për respektimin e distancimit social dhe përdorimin e maskave.

“S’duhet ta lejojmë virusin të na infektojë”, tha Manastirliu, ndërsa shtoi se në fazën e dytë duhet të veprojmë po me të njëjtin kujdes si më parë.

Ajo tha se ekspertët kanë paraqitur disa skenarë për trajtimin e të sëmurëve.

“Secili duke bërë detyrën e tij, të mbrojmë personelin shëndetësor. Është ai që na përgjigjet për çdo problem shëndetësor. Kemi marrë masat gjatë muajve duke siguruar pajisjet mbrojtëse. Me rritjen e fluksit të shtrimeve po përgatitemi për fazën e dytë, për të hapur spitalin e ish-kirurgjive në QSUT. Paralelisht nëse do kemi shtrim të rasteve intensive do hapim Covid-2 dhe nëse kapërcehen këto shifra do të kalojmë te Covid-4”, tha ministrja.

Ndërkohë është vendosur që të vijojë transporti publik, por me rregulla.

“Kanë vendosur heqjen e kufizimit për transportin publik. Do të vijojë ndërqytetas dhe brenda qytetit, por me disa masa dhe protokolle të veçanta. Përdorimi i maskës gjatë udhëtimit do të jetë e detyrueshme. Nuk do të ketë tolerancë nëse nuk respektohen këto rregulla”, tha ministrja.