Këngëtarja me famë botërore Dua Lipa dhe aktori britanik Callum Turner duket se janë gati të hedhin hapin e radhës në marrëdhënien e tyre, duke planifikuar martesën për këtë verë.

Sipas raportimeve të mediave britanike, çifti po organizon një ceremoni të vogël dhe intime, larg vëmendjes së madhe mediatike. Edhe pse data e dasmës është vendosur tashmë, ata kanë zgjedhur që gjithçka të mbahet sa më private, duke kufizuar ndjeshëm listën e të ftuarve.

Burime pranë çiftit bëjnë me dije se disa nga miqtë e tyre të njohur mund të mos marrin pjesë në ceremoni, për shkak të natyrës së kufizuar të eventit. Mes emrave që njihen si pjesë e rrethit të këngëtares janë Elton John, Olivia Dean, Mark Ronson, Donatella Versace dhe Charli XCX, por jo të gjithë pritet të jenë të pranishëm.

Sa i përket vendndodhjes, çifti ka shqyrtuar disa destinacione, përfshirë Italinë dhe Mbretërinë e Bashkuar, me gjasë që ceremonia të zhvillohet në Itali.

Dua Lipa dhe Callum Turner e bënë publike lidhjen e tyre në fillim të vitit 2024, ndërsa fejesa u konfirmua më vonë në një intervistë për revistën “British Vogue”. Marrëdhënia e tyre nisi pas njohjes në festën e ditëlindjes së një miku të përbashkët, dhe tashmë duket se po shkon drejt një kapitulli të ri.