Policia e Vlorës bën me dije sot se ka proceduar një 87-vjeçar, që dyshohet se është pronari i pitbullit, që kafshoi një 4-vjeçare gjatë ditës së djeshme.
Uniformat blu bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në lagjen “10 Korriku” të qytetit bregdetar. Vogëlushja ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja u shënua dje më 7 prill, kur një vajzë e vogël 4 vjeçe u sulmua nga një qen pitbull, duke pësuar lëndime në kokë. Vajza ishte e shoqëruar nga gjyshja, e cila nuk e ka pasur të mundshme, që ta ndalojë kafshën.
Mësohet se qeni ka qenë pa të zotin në momentin që sulmoi të miturën. Ai u kap nga disa qytetarë, derisa u mor nga policia, për t’u dërguar në një qendër të posaçme për trajtimin dhe mbrojtjen e kafshëve.
Njoftimi i policisë:
U referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin H. B., 87 vjeç, banues në Vlorë, pasi në lagjen “10 Korriku”, qeni i tij i racës Pitbull ka kafshuar një 4-vjeçare, e cila mori mjekim në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Qeni u mor në dorëzim nga shërbimi i mbrojtjes së kafshëve pranë Bashkisë Vlorë.





