Familja e aktorit të ndjerë Matthew Perry ka kërkuar dënimin maksimal për gruan e akuzuar se i shiti drogën që çoi në vdekjen e tij. Njerka e aktorit, Debbie Perry, i bëri thirrje gjykatës në Kaliforni që të japë një dënim të ashpër ndaj Jasveen Sangha, e cila përballet me mbi 60 vite burg. Në deklaratën e saj, Debbie Perry theksoi se dëmi i shkaktuar është “i pakthyeshëm”, duke shtuar se dhimbja e familjes dhe e shumë të tjerëve është e pamatshme.
Sangha, e njohur si “Mbretëresha e Ketaminës”, ka pranuar pesë akuza, përfshirë shpërndarjen e ketaminë që çoi në vdekje ose dëmtime të rënda trupore. Aktori u gjet pa ndjenja në xhakuzinë e shtëpisë së tij në Los Angeles në vitin 2023, ndërsa ekspertiza mjekësore e shpalli vdekjen si aksident të shkaktuar nga “efektet akute të ketaminës”. Në një reagim nga burgu, Sangha ka kërkuar falje për veprimet e saj, duke deklaruar se nuk ka justifikim për atë që ndodhi dhe se i vjen keq për dhimbjen e shkaktuar familjes së aktorit.
Matthew Perry ishte i njohur për rolin e Chandler Bing në serialin Friends dhe kishte luftuar për vite me varësinë nga substancat, ndërsa përdorte ketaminë edhe si pjesë e trajtimit për depresionin. Sangha është një nga pesë personat e dënuar për përfshirje në vdekjen e aktorit. Mjeku Salvador Plasencia është dënuar me 30 muaj burg, ndërsa një tjetër mjek, Mark Chavez, ka marrë dënim me arrest shtëpie dhe mbikëqyrje.
Sipas hetimeve, ndërmjetësi Erik Fleming dhe asistenti personal i aktorit, Kenneth Iwamasa, kanë luajtur rol në sigurimin dhe administrimin e substancës. Iwamasa dyshohet se i ka injektuar Perry-t disa doza, përfshirë edhe ato fatale në tetor 2023. Dënimet për personat e tjerë të përfshirë pritet të jepen në ditët në vijim, ndërsa çështja vazhdon të trondisë opinionin publik.





