Ndërron jetë një pacient 62-vjeçar si pasojë e Covid-19, duke e çuar në 45 numrin e të vdekurve.
Ministria e Shëndetësisë njofton se viktima nuk kishte sëmundje bashkëshoqëruese, ndërsa ndodhej i shtruar në spital prej dy javësh.
“Rreth dy javë pas shtrimit në spital, pas 10 ditësh në terapi intensive, i intubuar, një 62 vjeçar nga Tirana ka humbur jetën nga COVID19, megjithë përpjekjet e mjekëve, terapisë medikamentoze intensive, pavarësisht se nuk vuante nga sëmundje bashkëshoqëruese. Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit dhe i rikujton qytetarëve rëndësinë që ka respektimi i masave mbrojtëse, pasi referuar ekspertëve të Institutit të Shëndetit Publik, virusi është prezent, ka transmetueshmëri dhe nuk e ka humbur forcën e tij virusale”, thuhet në njoftim.





