Kryeministri britanik Keir Starmer ka bërë të ditur se ka zhvilluar një bisedë me presidentin amerikan Donald Trump lidhur me një plan për mbështetjen e anijeve që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Sipas Starmer, diskutimet janë fokusuar si në aspektin diplomatik, ashtu edhe në atë ushtarak, për të garantuar kalimin e sigurt të anijeve në këtë pikë kyçe të tregtisë globale.
“Po ndërtojmë një aleancë vendesh dhe po punojmë për një plan politik e diplomatik, por gjithashtu po shqyrtojmë edhe kapacitetet ushtarake dhe mbështetjen logjistike për kalimin aktiv të anijeve përmes ngushticës”, deklaroi ai gjatë një vizite në Lindjen e Mesme.
Ai shtoi se kjo çështje ishte në qendër të bisedës së zhvilluar një natë më parë me Trump, me theks të veçantë tek një plan konkret për garantimin e lundrimit në zonë.
Ndërkohë, sipas burimeve, Britania e Madhe pritet të dërgojë edhe dhjetëra raketa interceptuese në Lindjen e Mesme, në kuadër të rritjes së masave të sigurisë në rajon.





