Martina Pajollari, e akuzuar për moskallëzim krimi të vrasjes së Martin Çeços, ndodhet në arrest shtëpie prej dy javësh, kjo për shkak të përfundimit të afateve të paraburgimit.

Vendimi për ndryshimin e masës së sigurisë është marrë pas kërkesës së paraqitur nga mbrojtja e saj, e cila kërkoi lirimin e menjëhershëm nga qelia. Pajollari mbahej e paraburgosur në burgun e Pojskës.

Më herët, rreth dy muaj më parë, edhe tre të akuzuarit e tjerë për këtë ngjarje janë liruar nga paraburgimi për të njëjtën arsye, përfundimin e afateve ligjore.

Sipas akuzës, Martina Pajollari dyshohet se ka nxjerrë në pritë viktimën, Martin Çeço, dhe më pas nuk ka kallëzuar krimin pranë autoriteteve.

Martin Çeço u vra në qershor të 2022, dhe trupi i tij u hodh më pas në rezervuarin e fshatit Kolanec, në Maliq. 26-vjeçari dyshohet se u vra për çështje xhelozie pasi kishte krijuar lidhje dashurie me Martina Pajollarin, e cila gjithashtu ishte e lidhur me Valter Mollajn.