Dr. Bledar Kurti është përzgjedhur si Fellow në The Heritage Foundation Academy, një institucion prestigjioz ndërkombëtar që synon formimin e liderëve dhe ekspertëve në fushën e politikave publike. Ky vlerësim përfaqëson jo vetëm një arritje personale për Dr. Kurtin, por edhe një moment të rëndësishëm për përfaqësimin intelektual shqiptar në arenën globale.

The Heritage Foundation është një nga institutet më me ndikim në Shtetet e Bashkuara, i njohur për rolin e tij në formësimin e politikave për Kongresin Amerikan dhe këshillimin e Presidentit dhe Shtëpisë së Bardhë.

Që nga themelimi i tij, ky institucion ka qenë një qendër kyçe ideimi për strategji qeverisjeje, ekonomike, siguri kombëtare dhe politika sociale, duke ndikuar drejtpërdrejt në vendimmarrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përzgjedhja e Dr. Kurtit në këtë program vjen si rezultat i një karriere të tij të konsoliduar akademike dhe publike. Ai është lektor universiteti, analist politik dhe autor i disa librave dhe qindra artikujve mbi politikën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Ai ka shërbyer si këshilltar në institucione të larta shtetërore në Shqipëri, duke kontribuar në politikëbërje dhe administratë publike. Dr. Bledar Kurti gjithashtu drejton emisionin Flasim Hapur në DurrësLajm.

Kjo arritje nënvizon rëndësinë e ndërthurjes së ekspertizës politike dhe akademike shqiptare me qendrat më të rëndësishme të mendimit global. Prania e një akademiku shqiptar nga Durrësi në një institucion si The Heritage Foundation dëshmon rritjen e rolit të elitave intelektuale shqiptare dhe durrsake në diskutimet ndërkombëtare dhe krijon ura të reja bashkëpunimi me politikëbërjen amerikane.