Nga BUJAR QESJA
Ka njerëz që largohen nga jeta, por që mbeten gjatë në kujtesën e miqve, të shokëve dhe të shoqërisë ku jetuan. Ata nuk mbahen mend vetëm për profesionin që ushtruan, por për karakterin, për mendimin e tyre të lirë dhe për ndihmesën që lanë në fushën e dijes dhe të kulturës. I tillë ishte koloneli dhe doktori i shkencave ushtarake Novruz Zejnati.
Një personalitet i veçantë, që bashkoi në një figurë të vetme ushtarakun, studiuesin dhe shkrimtarin.
Largimi i tij nga jeta në moshën 85 -së vjeçare, është një humbje për miqtë, për bashkëpunëtorët dhe për të gjithë ata, që e njohën nga afër energjinë dhe seriozitetin e tij intelektual.
Jeta dhe rrugëtimi
Novruz Zejnati lindi më 9 mars 1941 në Delvinë, në një trevë me tradita të forta patriotike dhe kulturore. Shkollën 7-të vjeçare r mbaroi në Lazarat. Që në rini u orientua drejt karrierës ushtarake, duke e lidhur jetën me studimin dhe organizimin e mbrojtjes.
Me përkushtim dhe disiplinë, arriti gradën e kolonelit dhe më tej u bë doktor i shkencave ushtarake, duke u shquar për seriozitetin dhe përgatitjen teorike.
Përvoja e tij nuk mbeti vetëm brenda kufijve të vendit. Në një periudhë të rëndësishme të jetës, ai u angazhua për rreth një vit edhe në luftën në Vietnam, një përvojë e veçantë që e pasuroi me njohuri dhe reflektime të thella mbi strategjinë, konfliktet dhe fatet e popujve.
Por Novruz Zejnati nuk ishte vetëm një ushtarak i përgatitur. Ishte edhe një njeri i mendimit dhe i penës. Pas viteve të shërbimit, energjitë i përqendroi në studime, analiza dhe krijimtari letrare. Botoi libra me karakter studimor dhe letrar, duke trajtuar figura dhe periudha të rëndësishme të historisë shqiptare. Ndër veprat e tij dallohen studimet mbi figurën e Esat Pashë Toptanit dhe të Ahmet Zogut, ku përpiqej të sillte këndvështrime analitike dhe të argumentuara.
Në shtypin e përditshëm, ishte shpesh i pranishëm me analiza dhe komente për probleme të ditës, për historinë, politikën dhe çështjet e zhvillimit shoqëror. Shkrimet e tij karakterizoheshin nga një ton i matur, nga përvoja e gjatë dhe nga një frymë qytetare, që kërkonte gjithmonë arsyen dhe argumentin.
Njeriu dhe miku
Përtej titujve dhe gradave, Novruz Zejnati do të kujtohet si një mik i rrallë. Ishte bashkëbisedues i këndshëm. Njeri që dinte të dëgjonte dhe të respektonte mendimin e tjetrit. Aktiv në jetën letrare dhe qytetare. Merrte pjesë në diskutime, në takime kulturore dhe në debate intelektuale, gjithmonë me seriozitet dhe dashuri për vendin.
Miqtë e tij e dinë mirë, se sa i lidhur ishte me librin, me historinë dhe me njerëzit. Në bisedat e tij kishte gjithmonë një kujtim, një analizë apo një reflektim, që të bënte të mendoje më thellë për kohën dhe për jetën.
I trishtë lajmi i largimit
Vitet e fundit Novruz Zejanit, i miri dhe i mënçuri ynë, u përball me sëmundjen e zemrës, që e shoqëroi për një kohë të gjatë. U nda nga jeta në Itali, larg vendlindjes së tij, por jo larg kujtimeve dhe respektit të miqve.
Figura e Novruz Zejnatit, mbetet ajo e një intelektuali të angazhuar, të një ushtaraku me kulturë të gjerë dhe të një shkrimtari, që kërkoi të ndriçojë historinë dhe realitetin me mendim kritik.
Kujtimi i tij do të jetojë në faqet e librave që shkroi, në shkrimet që la në shtyp dhe mbi të gjitha, në zemrat e miqve që patën fatin ta njohin nga afër.
I paharruar qoftë, portretii kolonel doktor Novruz Zejnatit, ushtaraku i mendimit dhe miku i çmuar!
Gjithnjë pranë nesh i mrekullueshmi njeri, ku me praninë tënde na e bëje ditën më të bukur, më optimiste Novruz Zejnati!
Nokja ynë, i gjithkohshëm në kujtesë!





