Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim me Zëvendës Sekretaren e Përgjithshme të NATO-s, Radmila Shekerinska, ku në qendër të bisedimeve kanë qenë angazhimet e Shqipërisë në Aleancë dhe përgatitjet për Samitin e NATO-s që do të mbahet në Tiranë.

Në një postim në platformën “X”, Hoxha bëri të ditur se gjatë takimit është diskutuar mbi mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën, situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, si dhe koordinimin me strukturat e NATO-s për organizimin e Samitit në Shqipëri.

Ministri theksoi se Shqipëria mbetet plotësisht e linjëzuar me prioritetet e Aleancës dhe vijon të forcojë kapacitetet e saj mbrojtëse përmes modernizimit të Forcave të Armatosura, rritjes së buxhetit të mbrojtjes për vitin 2026 dhe investimeve në industrinë e mbrojtjes.

Në fokus të veçantë kanë qenë edhe përgatitjet për Samitin e NATO-s në Tiranë, që pritet të jetë i pari i këtij niveli i zhvilluar në rajon. Hoxha ka theksuar koordinimin e vazhdueshëm me selinë e Aleancës për garantimin e një organizimi të suksesshëm.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, postim në X:

Sot zhvillova një takim produktiv me Radmila Shekerinska, Zëvendës Sekretare e Përgjithshme e NATO-s. Gjatë takimit diskutuam mbi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj Aleancës, mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën, situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, si dhe përgatitjet e Shqipërisë për organizimin e Samitit të ardhshëm të NATO-s në Tiranë.

Konfirmova linjëzimin e plotë të Shqipërisë me prioritetet e NATO-s në prag të Samitit të Ankarasë. Shqipëria mbetet një aleate e vendosur, duke vijuar modernizimin e Forcave të Armatosura, rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen në vitin 2026, si dhe zhvillimin e industrisë vendase të mbrojtjes përmes investimeve strategjike dhe partneriteteve afatgjata.

Gjithashtu, prezantova përgatitjet e Shqipërisë për të pritur Samitin e ardhshëm të NATO-s në Tiranë, i pari i këtij niveli në rajonin tonë, duke vënë në dukje koordinimin e vazhdueshëm me selinë e #NATO-s dhe angazhimin tonë për të garantuar një Samit të suksesshëm dhe me ndikim të rëndësishëm.

Sa i përket #BallkanitPerëndimor, nënvizuam rëndësinë e angazhimit të qëndrueshëm të NATO-s për ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe adresimin e sfidave të reja të sigurisë. Po ashtu, rikonfirmova mbështetjen e fortë të Shqipërisë për KFOR-in, duke theksuar rolin e tij thelbësor në garantimin e sigurisë në Kosovë dhe në rajon, si dhe rëndësinë e ruajtjes së një pranie të fuqishme të NATO-s, të bazuar në kushtet e sigurisë.