U përurua sot hapja e Kampusit Ndërkombëtar të Tiranës (ICCT), fryt i bashkëpunimit mes Univesitetit Politeknik të Tiranës (UPT) dhe Universitetit të Teknologjisë së Compiègne në Francë (UTC).
Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, në ceremoninë e përurimit e vlerësoi këtë moment si një arritje në përpjekje për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë.
“Sot i japim zyrtarisht jetë kampusit ndërkombëtar UPT – UTC në Tiranë – që shkurt pagëzohet ICCT! Nuk është një bashkëpunim i ri, pasi fillesat i ka pasur shumë herët, por si një marrëveshje bilaterale mes dy universiteteve, ndërsa sot kemi programet e përbashkëta në inxhinieri kompjuterike dhe në inxhinierinë e sistemeve elektronike, nën ICCT dhe përgëzoj gjithë stafin akademik dhe studentët që i kanë zgjedhur dhe në fund të këtij cikli do të kenë diploma të nivelit ndërkombëtar. Dhe kur flasim për ndërkombëtarzimin në arsimin e lartë, ndonjëherë na duket koncept abstrakt, sikur është një term që përdoret në strategji apo në premtime e fjalime! Por sot u them të gjithëve, ja shembulli i ndërkombëtarizimit, në këtë sallë”, tha ministrja Kumbaro.
Diplomat e dhëna në përfundim të këtyre programeve te studimit lejojnë studime të mëtejshme preferenciale drejt programeve të nivelit master ose programeve te shkollës inxhinierike, veçanërisht brenda UTC dhe UPT.
Është planifikuar gjithashtu që këto programe studimi të akreditohen nga Commission des Titres d’Ingénieur (CTJ) dhe nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit të Lartë (ASCAL) në Shqipëri, me qëllim garantimin e njohjes ndërkombëtare dhe përsosmërisë akademike.
Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës Akil Fundo, u shpreh:
“Në fund studentët do të pajisen me një diplomë të Universitetit Politeknik dhe një tjetër të Unviersitetit të Teknologjisë së Kompienjit. Mësimi do të zhvillohet në shqip, frëngjisht dhe anglisht. Pas 3 viteve do të hapim dhe një program të ri studimi bachelor në inxhineri mekatronike dhe numri i studentëve do të dyfishohet në secilin program”.
Presidentja e Unviersitetit të Teknologjisë së Kompienjit, Claire Rossi vlerësoi angazhimin e autoriteteve të të dy vendeve për të çuar përpara këtë projekt: “Me kampusin ICCT ne po kalojmë në një etapë të re të partneritetit tonë. Ky kampus përbën një projekt me të vërtetë ambicioz të udhëhequr bashkarisht nga UPT dhe UTC me synimin që t’u shërbejë studentëve, arsimit, kërkimit, inovacionit dhe botës sociale e ekonomike. Do doja të theksoja mbështetjen e palëkundur të autoriteteve franceze e shqiptare për realizimin e këtij projekti”.
Hapja e ICCT-së është pjesë e një bashkëpunimi tashmë të pasur midis UTC-së dhe UPT-së, i filluar në vitin 2009. Ky bashkëpunim është zhvilluar me kalimin e viteve përmes mobilitetit së studentëve, shkëmbimeve universitare, programit të dyfishtë masteri (që nga viti 2019), programit master jashtë vendit (që nga viti 2023) dhe mbështetjes së UPT-së në masterin Erasmus Mundus EMSSE mbi inxhinierinë e sistemeve komplekse dhe të qëndrueshme.





