Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara ka ngritur akuza serioze ndaj një ushtari aktiv të SHBA-ve, Gannon Ken Van Dyke, i cili akuzohet se ka përdorur informacionin e klasifikuar që kishte në lidhje me operacionet ushtarake të SHBAve, për të vendosur bast dhe përfituar financiarisht përmes platformës Polymarket.
Van Dyke, i cili është 38 vjeç dhe ishte në Fort Bragg, North Carolina, është akuzuar për vendosjen e më shumë se 13 bastesh, duke vënë bast për ngjarje si pushtimi i Venezuelës dhe rrëmbimi i presidentit të këtij shteti, Nicolas Maduro.
Sipas aktakuzës, Van Dyke ka përdorur informacionet e klasifikuara për të parashikuar dhe përfituar nga ngjarjet që lidhen drejtpërdrejt me veprimtarinë ushtarake të SHBA-ve në Venezuelë, përfshirë operacionet që kulmuan në 3 janar 2026, kur SHBA-të realizuan një operacion ushtarak të koduar “Operacioni Absolute Resolve”.
Ky operacion përfshiu rrëmbimin e Presidentit Maduro dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores, dhe një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në Venezuelë, duke shkaktuar vdekjen e dhjetra venezuelanëve dhe kubanezëve. Kjo ngjarje u bë publike më 3 janar 2026, në orën 4:21 AM sipas ores të SHBA-ve.
Van Dyke dyshohet se ka përdorur platformën e basteve Polymarket që në fund të dhjetorit 2025, duke hapur një llogari të fshehur me ndihmën e një rrjeti virtual privat (VPN) për të fshehur vendndodhjen e tij. Pas hapjes së llogarisë, ai ka vendosur bast për ngjarje të ndryshme, duke përfshirë mundësinë që SHBA-të të ndërhynte në Venezuelë dhe që Maduro të hiqej nga posti i presidentit deri në fund të muajit janar 2026.
Ai ka investuar gjithsej më shumë se 20,000 dollarë në bastet e tij, përfshirë një shumë të madhe prej 6,100 dollarësh në 1 janar 2026, dhe bastet e tjera me vlera të mëdha për të parashikuar ngjarjet që do të ndodhnin në këtë periudhë të tensionuar.
Aktakuza nënvizon se Van Dyke kishte informacion të drejtpërdrejtë për përgatitjen dhe realizimin e operacionit kundër Venezuelës, duke përdorur informacionet e klasifikuara për të përfituar. Në mënyrë të veçantë, ai ka përdorur informacionet që ka pasur nga detyrat e tij ushtarake dhe operacionet që i kishte njohur përpara se ato të realizoheshin, për të vendosur baste të sigurta dhe fitimprurëse në Polymarket.
Pas suksesit të tij në këtë tregti të paligjshme, Van Dyke ka transferuar shumicën e fitimeve të tij në një portofol kriptomonedhash jashtë shtetit, duke përdorur kështu teknologjinë për të mbajtur anonim burimin e fitimeve.
Sipas prokurorëve, Van Dyke ka shkelur disa ligje të rëndësishme, përfshirë Ligjin e Tregtisë së Mallrave, me akuzat për mashtrim dhe realizimin e transaksioneve të paligjshme financiare. Çdo akuzë për shkeljen e Ligjit të Tregtisë së Mallrave dhe për realizimin e transaksioneve të paligjshme mund të çojë në një dënim deri në 10 vjet burg për secilën nga këto akuza, ndërsa akuzat për mashtrim mund të sjellin deri në 20 vjet burg.





