Franca ka përmbyllur të premten e 24 prillit, një takim të ministrave të mjedisit të vendeve të G7-ës, duke mbrojtur vendimin e saj “pragmatik” për të mos e përfshirë ndryshimin e klimës në agjendë, me qëllim shmangien e një përplasjeje me Shtetet e Bashkuara.

Presidenti amerikan Donald Trump ka hedhur poshtë ndryshimet klimatike si mashtrim, pavarësisht provave shkencore, dhe ka tërhequr vendin e tij nga disa organizata ndërkombëtare për klimën.

Sipas ministres franceze të Mjedisit, Monique Barbut, heqja e kësaj çështjeje nga agjenda zyrtare e takimit të zhvilluar në Paris ishte një qasje më “pragmatike”, e cila shmangu rrezikun që disa partnerë të largoheshin nga tryeza e negociatave.

“Nuk donte askush një përballje dhe të gjithë janë të lehtësuar që ky takim i G7-ës u zhvillua në kushte të mira. Të gjithë ishin të gatshëm të gjenin një rezultat pozitiv dhe të punonin për çështje me interes të përbashkët,” u shpreh Barbut, citon Reuters.

Ajo shtoi se diskutimet u përqendruan në çështje si biodiversiteti, burimet ujore dhe mbrojtja e oqeaneve. Franca aktualisht mban presidencën e grupit të vendeve të pasura të G7-ës.

“Jam e kënaqur me rezultatin. Kërkova që të shihen pikat e përbashkëta,” tha ajo, duke përmendur përparimin në mbrojtjen e natyrës dhe rritjen e financimeve për biodiversitetin.