Policia e Shtetit ka finalizuar në Tiranë operacionin e koduar “Different”, në kuadër të goditjes së veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Gjatë operacionit, të zhvilluar nga Forca e Posaçme “Shqiponja”, Komisariati i Policisë Nr. 6 dhe Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, u goditën dy raste të shitjes së kokainës dhe kanabisit.
Në rrugën “Jordan Misja” u arrestuan dy shtetas, 22 dhe 27 vjeç, të cilëve iu gjetën sasi lënde narkotike të dyshuara kokainë dhe cannabis, të ndara në doza dhe të dyshuara si të gatshme për shitje.
Në vijim të operacionit u arrestua edhe një 49-vjeçar, ndërsa u proceduan penalisht djali i tij 18-vjeçar dhe një shtetas tjetër. Gjatë kontrolleve në një lokal në pronësi të 49-vjeçarit dhe në automjete, policia sekuestroi sasi të tjera kokaine dhe cannabis sativa.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në automjetin e njërit prej të proceduarve u gjet edhe një tabelë policie.





