Autoritetet amerikane kanë identifikuar autorin e atentati të dështuar në darkën e Donald Trump dhe gazetarëve të Shtëpisë së bardhë. Ai është Cole Thomas Allen, rreth 31 vjeç, nga zona e Torrance California. Cole ka arritur të hyjë në ambientet e hotelit Hilton Washington dhe të afrohet pranë hyrjes së sallës ku po zhvillohej eventi, duke qenë i armatosur me armë zjarri dhe mjete të ftohta, përpara se të neutralizohej nga forcat e sigurisë.

Autori rezulton të ketë qenë i angazhuar si mësues me kohë të pjesshme, si dhe i lidhur me projekte në fushën e teknologjisë dhe zhvillimit të lojërave elektronike. Ai kishte bërë një donacion simbolik në fushatën elektorale të Kamala Harris në vitin 2024.

Postimet në Facebook të Cole Thomas Allen tregojnë se në dhjetor 2024 ai u vlerësua si ” Mësuesi i Muajit ” nga zyra Torrance e C2 Education, një shërbim privat përgatitor për kolegj që operon në të gjithë Shtetet e Bashkuara. Motivet e sulmit mbeten ende të paqarta, megjithëse raportohet se pas arrestimit ai ka deklaruar se kishte si synim zyrtarë të administratës së presidentit Trump

Autoritetet thanë se Allen u mor në paraburgim. Pamjet e kamerave të sigurisë e tregojnë atë duke vrapuar, ndërsa oficerët nxitojnë drejt tij me armë . Personi i armatosur nuk u plagos nga të shtënat, por u dërgua në spital për vlerësim. Policia tha se ai ishte i armatosur me një pushkë gjahu, një pistoletë dhe disa thika.

Fakti që personi i armatosur arriti t’i afrohej kaq shumë sallës së pritjes është komentuar gjerësisht në mediat sociale, me shumë njerëz që pyesin nëse kishte ndonjë boshllëk ligjor në masat e sigurisë të vendit të ngjarjes që Allen e shfrytëzoi.

Një gazetar i BBC-së, i cili ishte i pranishëm në këtë ngjarje dhe përshkroi përvojën e tij, iu referua në mënyrë të veçantë masave të sigurisë, duke vënë në dukje se, pavarësisht bllokimit të rrugëve përreth hotelit, kontrollet në hyrje ishin të kufizuara.

“Burri në hyrje u kufizua në një vështrim të shpejtë të biletës sime, nga një distancë prej rreth dy metrash. Zbritëm me ashensor në holl, ku një agjent më kontrolloi me një detektor metalesh, por pa i kushtuar shumë vëmendje bip-eve që u dëgjuan kur skanoi xhepin e xhaketës sime. Nuk më kërkuan të zbrazja sendet e mia personale. Në përgjithësi, masat e sigurisë të kujtonin një pritje tipike të Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, pa praninë e një presidenti në detyrë”, tha ai.