Nga Amarild Braka, Sipërmarrës

Në një kohë kur pasiguria ekonomike dhe luhatjet e tregjeve financiare janë bërë pjesë e përditshmërisë, sidomos në zhvillimet aktuale gjeopolitike, investimi nuk mund të mbështetet më te intuita apo te vendime afatshkurtra. Ai kërkon strategji. Dhe në këtë kontekst, pasuria e paluajtshme në Shqipëri po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një nga zgjedhjet më racionale dhe të mirëkalkuluara.

Të dhënat e viteve të fundit tregojnë qartë një trend në rritje të vlerës së pronave, veçanërisht në qytetet kryesore. Në Tiranë, çmimet e apartamenteve janë rritur mesatarisht me 8–12% në vit gjatë dekadës së fundit, me zona të caktuara që kanë shënuar edhe rritje më të larta. Në bregdet, sidomos në Durrës dhe Vlorë, rritja është nxitur edhe nga turizmi dhe investitorët e huaj, duke e bërë tregun edhe më dinamik.

Kur këto shifra krahasohen me alternativa të tjera investimi, diferenca bëhet e dukshme. Depozitat bankare në Shqipëri aktualisht ofrojnë norma interesi që shpesh variojnë nga 1% deri në 3% në vit, ndërkohë që inflacioni në vite të caktuara ka qenë më i lartë se këto norma. Kjo do të thotë se kursimet në bankë, në shumë raste, humbasin vlerë reale me kalimin e kohës.

Nga ana tjetër, një apartament i dhënë me qira mund të gjenerojë një kthim vjetor prej 4% deri në 7%, në varësi të vendndodhjes dhe tipologjisë së pronës. Në zonat turistike, përmes qirave afatshkurtra, ky kthim mund të jetë edhe më i lartë gjatë sezonit. Kur këtij fitimi i shtohet edhe rritja e vlerës së pronës në kohë, investimi në pasuri të paluajtshme rezulton dukshëm më konkurrues.

Krahasimi bëhet edhe më interesant në nivel rajonal. Në qytete të rëndësishme të Ballkanit, çmimet e pronave janë ndjeshëm më të larta, ndërkohë që ritmet e rritjes kanë filluar të stabilizohen. Shqipëria, përkundrazi, ndodhet ende në një fazë zhvillimi, ku tregu ka hapësirë për zgjerim dhe maturim. Kjo e bën hyrjen në treg sot një lëvizje strategjike, përpara se çmimet të arrijnë nivele më të larta dhe marzhet e fitimit të ngushtohen.

Një tjetër indikator i rëndësishëm është kërkesa në rritje. Urbanizimi, zhvillimi i infrastrukturës dhe rritja e numrit të turistëve kanë krijuar një presion konstant për banesa dhe njësi akomoduese. Vetëm turizmi në Shqipëri ka njohur rritje të ndjeshme vit pas viti, duke rritur ndjeshëm nevojën për qira afatshkurtra dhe duke e kthyer një apartament në bregdet në një aset me potencial të lartë fitimi.

Njerëzit duhet të ndjekin shembullin e investitorëve te mëdhenj. Ajo që i dallon investitorët e mëdhenj nga blerësit e zakonshëm nuk është thjesht kapitali, por mënyra se si ata mendojnë dhe veprojnë. Investitorët strategjikë nuk blejnë në kulmin e tregut, por hyjnë herët, në zona me potencial zhvillimi, shpesh përpara se infrastruktura të jetë plotësisht e konsoliduar. Ata analizojnë tregues si rritja demografike, projektet publike, zhvillimet turistike dhe planet urbanistike për të parashikuar se ku do të zhvendoset kërkesa nesër. Për më tepër, ata nuk mbështeten te një pronë e vetme, por ndërtojnë portofol, duke shpërndarë rrezikun dhe duke maksimizuar kthimin. Ndryshe nga shumica, ata nuk blejnë për nevojë por ata blejnë me logjikë afatgjatë dhe me një strategji të qartë daljeje, qoftë përmes rishitjes në momentin optimal, apo përmes gjenerimit të të ardhurave të qëndrueshme nga qiraja.

Megjithatë, ajo që e bën një investim të suksesshëm nuk është vetëm momenti i hyrjes në treg, por edhe cilësia e vendimmarrjes. Vendndodhja, aksesueshmëria, cilësia e ndërtimit dhe perspektiva e zhvillimit të zonës janë faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në kthimin e investimit. Një zgjedhje e mirë sot mund të shumëfishojë vlerën nesër; një zgjedhje e nxituar mund ta kufizojë atë.

Në thelb, investitorët e zgjuar nuk blejnë thjesht një apartament, ata blejnë potencial. Ata shohin përtej çmimit aktual dhe vlerësojnë trendet, zhvillimin urban dhe dinamikën ekonomike.

Në kushtet aktuale të ekonomisë shqiptare, pasuria e paluajtshme nuk është vetëm një alternativë investimi por është një strategji e menduar për të ndërtuar siguri dhe për të rritur kapitalin në mënyrë të qëndrueshme. Me norma kthimi më të larta se alternativat tradicionale dhe me një treg ende në rritje, blerja e një apartamenti sot përfaqëson jo vetëm një zgjedhje të zgjuar, por një vendim të mirëfilltë strategjik.