Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ka konfirmuar praktikën e ushtarëve të Koresë së Veriut që kryejnë vetëvrasje për të shmangur kapjen, duke lavdëruar publikisht ata që luftojnë përkrah Rusisë kundër Ukrainës, gjatë një eventi në Phenian për të shënuar përurimin e një memoriali lufte.
Sipas BBC-së, udhëheqësi i Koresë së Veriut iu referua në fjalimin e tij një praktike që i atribuohet prej kohësh ushtrisë së vendit të tij, duke lavdëruar ushtarët të cilët, tha ai, “pa hezitim zgjodhën vetëshkatërrimin” për të shmangur kapjen nga ushtria ukrainase.
Në një fjalim në Phenian të hënën, me rastin e zbulimit të një monumenti kushtuar ushtarëve të rënë, Kim i përshkroi luftëtarët si “heronj”, duke theksuar se ata vepruan “për të mbrojtur nderin e vendit të tyre”. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve KCNA, ai foli për “formën më të lartë të përkushtimit”, duke vënë në dukje se këta ushtarë demonstruan “vetëflijim pa pritur shpërblim”.
Në këtë aktivitet morën pjesë, ndër të tjerë, Ministri rus i Mbrojtjes Andrei Belousov dhe Kryetari i Dumës Shtetërore Ruse, Vyacheslav Volodin, duke nënvizuar bashkëpunimin e ngushtë midis dy vendeve në fushën e operacioneve ushtarake.
Sipas vlerësimeve të Koresë së Jugut, rreth 15,000 ushtarë të Koresë së Veriut janë vendosur për të ndihmuar forcat ruse në përpjekjen e tyre për të rimarrë zonat në pjesën perëndimore të Kurskut, dhe më shumë se 6,000 vlerësohet se kanë humbur jetën. Këto shifra nuk janë konfirmuar zyrtarisht as nga Moska dhe as nga Pheniani.
Shërbimet e inteligjencës dhe dezertorët nga Koreja e Veriut kanë pohuar herë pas here se ushtarët marrin urdhra të qartë për të kryer vetëvrasje në rast rreziku kapjes, pasi kapja konsiderohet një akt tradhtie. Ky koncept është një element kyç i stërvitjes ushtarake në vend.
Ndërkohë, një dokumentar i transmetuar më parë këtë vit nga rrjeti i Koresë së Jugut MBC paraqiti dëshmi nga dy të burgosur lufte të Koresë së Veriut në Ukrainë. Njëri prej tyre dukej se deklaroi para kameras se “u pendua që nuk i dha fund jetës së tij”, duke konfirmuar klimën e presionit me të cilën thuhet se përballen ushtarët.





