Administrata amerikane ka kërkuar nga ambasadat e saj që të bindin aleatët për t’u bashkuar në një koalicion ndërkombëtar që synon sigurimin e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më strategjike për tregtinë globale të energjisë.
Lajmi u konfirmua sot nga një zyrtar i Departamentit të Shtetit.
Ky mekanizëm, i quajtur “Mekanizmi i Lirisë Detare” (MFC), do të përfshijë masa konkrete për garantimin e kalimit të sigurt të anijeve, përfshirë shpërndarjen e informacionit në kohë reale, këshilla për sigurinë dhe koordinim të ngushtë mes partnerëve ndërkombëtarë.
Sipas zyrtarëve amerikanë, qëllimi është krijimi i një rrjeti të përbashkët për mbrojtjen e transportit detar.
Ngushtica e Hormuzit, nga e cila kalon rreth një e pesta e hidrokarbureve që konsumohen në botë, aktualisht ndodhet nën një tension të fortë për shkak të një bllokade të dyfishtë nga Irani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikë.
Situata ka ngritur shqetësime serioze për stabilitetin e furnizimit global me energji.
Një zyrtar i lartë amerikan deklaroi se Shtëpia e Bardhë po shqyrton mundësinë e vazhdimit të bllokadës për muaj të tërë, nëse është e nevojshme, duke theksuar se negociatat aktualisht kanë ngecur.
Kjo klimë pasigurie ka ndikuar drejtpërdrejt në tregjet globale, ku çmimi i naftës ka kaluar mbi 125 dollarë për fuçi.
Selia e MFC-së pritet të vendoset në Uashington dhe do të shërbejë si qendër koordinimi për operacionet diplomatike dhe bashkëpunimin me industrinë ndërkombëtare të transportit detar.
Një nga funksionet kryesore do të jetë edhe harmonizimi i masave ekonomike kundër Iranit.
Presidenti Donald Trump kishte ushtruar presion mbi aleatët evropianë që në fund të marsit për t’u përfshirë në këtë iniciativë, duke shprehur më pas pakënaqësi për mungesën e mbështetjes nga ana e NATO.
Sipas një dokumenti të publikuar nga “The Wall Street Journal”, pjesëmarrja e aleatëve konsiderohet thelbësore për rikthimin e lirisë së lundrimit dhe mbrojtjen e ekonomisë globale.





