Më 1 maj, në mbarë botën, punëtorët dhe sindikatat dalin në protesta për të kërkuar të drejta më të drejta dhe përmirësim të kushteve të punës. Por si u kthye kjo datë në simbol të lëvizjes punëtore dhe me cilat ngjarje historike lidhet ajo?
Origjina e 1 Majit si ditë simbolike gjendet në Paris, në vitin 1889. Gjatë Kongresit të Internacionales së Dytë, të mbajtur në kryeqytetin francez, u hodh ideja për organizimin e një manifestimi të madh ndërkombëtar. Qëllimi ishte bashkërendimi i veprimeve të partive dhe organizatave punëtore në vende të ndryshme, si dhe ushtrimi i presionit ndaj autoriteteve për vendosjen e një orari pune prej 8 orësh në ditë.
Parulla “8 orë punë, 8 orë argëtim dhe 8 orë gjumë” kishte lindur më herët, në Australi në vitin 1855, dhe u përhap shpejt në mesin e sindikatave. Ajo u bë një pikë referimi për kërkesa më të gjera dhe çoi në përcaktimin e një dite të përbashkët, 1 majit, kur punëtorët mund të bashkoheshin për të mbrojtur të drejtat e tyre.
Zgjedhja e kësaj date lidhet drejtpërdrejt me ngjarjet tragjike të majit 1886 në Chicago, të njohura si revolta e “Haymarket”. Në atë periudhë, punëtorët përballeshin me mungesë të plotë të të drejtave, punonin deri në 16 orë në ditë dhe në kushte shumë të rënda, shpesh me pasoja fatale. Më 1 maj 1886, në Shtetet e Bashkuara shpërtheu një grevë e përgjithshme për kërkesën e orarit 8-orësh. Protestat vazhduan për disa ditë dhe arritën kulmin më 4 maj, kur një përplasje e dhunshme shkaktoi vdekjen e 11 personave.
Këto ngjarje e shndërruan 1 Majin në simbol të luftës së punëtorëve për të drejta dhe kushte më të mira pune. Pavarësisht kundërshtimeve të forta nga shumë qeveri, në vitin 1890 kjo ditë u shënua me pjesëmarrje të gjerë në shumë vende të botës dhe më pas u institucionalizua si festë zyrtare në shumë shtete.
Megjithatë, në Shtetet e Bashkuara, Dita e Punës festohet në një datë tjetër, të hënën e parë të shtatorit. Kjo festë ka rrënjë në Kanada dhe lidhet me protestat e njohura si “Lëvizja e nëntë orëve”, ku punëtorët kërkonin reduktimin e orarit të punës.





