Abbas Araghchi nisi një sulm të ashpër ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, duke pretenduar se kostoja reale e zhvillimeve në Lindjen e Mesme është shumë herë më e madhe se ajo që është shpallur zyrtarisht dhe po i rëndon drejtpërdrejt qytetarët amerikanë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ministri i Jashtëm iranian akuzoi Pentagonin se po fsheh barrën reale ekonomike që vjen nga zhvillimet në rajon, duke përmendur një mospërputhje të konsiderueshme midis shifrave zyrtare dhe realitetit. Sipas tij, zgjedhjet e qeverisë izraelite nën drejtimin e Benjamin Netanyahut kanë sjellë tashmë një kosto të drejtpërdrejtë deri në 100 miliardë dollarë për Shtetet e Bashkuara.

“Pentagoni gënjen. Rreziku i ndërmarrë nga Netanyahu i ka kushtuar drejtpërdrejt Amerikës 100 miliardë dollarë deri më tani, katër herë më shumë sesa pretendon ai”, theksoi ai.

Në të njëjtën deklaratë, Araghchi argumentoi se politika e mbështetjes për Izraelin funksionon kundër interesave të Shteteve të Bashkuara, duke deklaruar se dhënia përparësi Izraelit në praktikë do të thotë humbje e përparësisë për Amerikën.