Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, e cilësoi si të pritshme vendimin e Shteteve të Bashkuara për të tërhequr 5.000 ushtarë nga bazat e tyre në territorin gjerman, duke përsëritur se forcat amerikane në Gjermani shërbejnë gjithashtu edhe interesave të vetë SHBA-së në rajon më gjerë.
Për misionet e ardhshme, ai theksoi se Gjermania do të koordinohet ngushtë me të ashtuquajturin “Grupi i Pesë” (Britania e Madhe, Franca, Polonia dhe Italia), duke nënvizuar se “duhet të bëhemi më shumë evropianë”.
“Prania e ushtarëve amerikanë në Evropë, dhe veçanërisht në Gjermani, është në interesin tonë dhe në interesin e Shteteve të Bashkuara. Ne bashkëpunojmë ngushtë me amerikanët në Ramstein, Grafenwöhr, Frankfurt dhe vende të tjera, për paqen dhe sigurinë në Evropë, për Ukrainën dhe për parandalimin e përbashkët.
Shtetet e Bashkuara gjithashtu përqendrojnë këtu funksione të tjera ushtarake, për shembull për interesat e tyre në politikën e sigurisë në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme”, deklaroi Pistorius, duke komentuar njoftimin e Pentagonit për tërheqjen e 5.000 ushtarëve amerikanë të stacionuar në Gjermani.
“Është e qartë”, theksoi ai, “duhet të bëhemi më evropianë brenda NATO-s, në mënyrë që të mbetemi transatlantikë; me fjalë të tjera, ne evropianët duhet të marrim më shumë përgjegjësi për sigurinë tonë”.
Sipas tij, Gjermania është në rrugën e duhur, duke iu referuar modernizimit të vazhdueshëm të forcave të armatosura: “Po zhvillohemi: forcat tona të armatosura po zgjerohen, po pajisemi më shpejt me më shumë armatim, po fokusohemi te inovacioni dhe po ndërtojmë më shumë infrastrukturë”.
Fakti që Shtetet e Bashkuara do të tërhiqnin trupa si nga Evropa, ashtu edhe nga Gjermania, ishte i pritshëm, shtoi ministri i Mbrojtjes, duke sqaruar se aktualisht bëhet fjalë për 5.000 ushtarë amerikanë nga rreth 40.000 që ndodhen sot në Gjermani.
“Për të gjitha misionet e ardhshme, do të koordinohemi ngushtë me aleatët tanë, për shembull në kuadër të Grupit të Pesë, pra me Britaninë e Madhe, Francën, Poloninë dhe Italinë”, përfundoi deklaratën e tij Boris Pistorius.





