Pas 15 vitesh në krye të Apple, Tim Cook njoftoi disa ditë më parë vendimin e tij për t’u tërhequr nga posti i CEO-s dhe për t’ia dorëzuar drejtimin e kompanisë John Ternus, drejtuesit të sektorit të hardware-it dhe një prej figurave të larta të saj prej vitesh.

Në një intervistë të fundit, Cook shpjegoi arsyet që qëndrojnë pas këtij vendimi, duke zbuluar edhe procesin e përzgjedhjes së pasardhësit, të cilin e konsideron ideal për ta udhëhequr Apple në fazën e ardhshme të zhvillimit.

Cook theksoi se vendimi i tij u bazua në tre faktorë kryesorë: performanca e fortë e Apple, linja “e shkëlqyer” e produkteve që pritet të hidhen në treg dhe fakti që 51-vjeçari John Ternus është gati të marrë drejtimin.

“Pashë performancën e kompanisë dhe ishte e jashtëzakonshme. Doja ta bëja njoftimin në një moment kur ecuria e Apple është në nivel shumë të lartë dhe kur John ishte gati të merrte përgjegjësinë,” u shpreh Cook në një intervistë për FOX Business.

Apple konfirmoi zyrtarisht se Tim Cook do të largohet nga posti i CEO-s më 1 shtator dhe do të marrë rolin e kryetarit ekzekutiv. Ndërkohë, Ternus, me mbi dy dekada eksperiencë në kompani dhe përgjegjës për zhvillimin e produkteve si iPhone, iPad dhe Mac, do të bëhet CEO i ri i Apple.

Megjithatë, edhe pas largimit nga drejtimi ekzekutiv, Cook do të mbetet një figurë me ndikim në strategjinë e kompanisë.

Vendimi i tij për t’u tërhequr në një nga periudhat më të suksesshme të Apple, me fitime rekord dhe rritje të të ardhurave prej 17%, ka nxitur diskutime për të ardhmen e kompanisë.

Apple përballet ende me sfida në treg, si rritja e kostove të çipave të memories dhe zhvillimi gradual i inteligjencës artificiale, por Cook shprehu besimin se kompania ndodhet në rrugën e duhur.

Pse John Ternus?

Zgjedhja e John Ternus konsiderohet strategjike, pasi ai ka qenë i përfshirë në zhvillimin e produkteve kyçe dhe është thellësisht i integruar në kulturën e Apple.

“John ka mendjen e një inxhinieri, shpirtin e një inovatori dhe zemrën e një lideri me integritet,” deklaroi Cook, duke theksuar se ai është personi i duhur për të marrë drejtimin e kompanisë në këtë fazë të re.