Tensionet brenda qeverisë së Keir Starmer kanë hyrë në një fazë të re krize politike, ndërsa presioni ndaj tij për të dhënë dorëheqjen po rritet ndjeshëm si në kabinet, ashtu edhe në grupin parlamentar të laburistëve.
Dje në mbrëmje, 11 maj, Sekretarja e Brendshme, Shabana Mahmood, i bëri thirrje kryeministrit që të përcaktojë një afat kohor për dorëheqjen e tij, mes kërkesave gjithnjë e më të shumta nga deputetët që ai të largohet nga detyra. Sipas mediave të huaja, të paktën 72 deputetë të laburistëve, mbi 17% e grupit parlamentar prej 403 anëtarësh, kanë kërkuar publikisht që Starmer të largohet ose të caktojë një datë për dorëheqjen e tij.
Kriza u thellua edhe më tej pasi gjashtë ndihmës ministra, të cilët iu bashkuan këtyre thirrjeve publike për dorëheqjen e kryeministrit. Ata u zëvendësuan nga zyra e kryeministrit gjatë natës.
Ndërkohë, deputetja laburiste Catherine West ka nisur mbledhjen e firmave të kolegëve të saj që kërkojnë që Starmer të tërhiqet deri në muajin shtator. Fillimisht ajo kishte paralajmëruar se mund të niste një garë për lidershipin, nëse një ministër nuk do të sfidonte kryeministrin, por më pas u tërhoq nga ky ultimatum.
Për të nisur një sfidë të tillë, do të nevojitej mbështetja e 20% të deputetëve laburistë, rreth 81 deputetë.
Këto zhvillime vijnë pas një fjalimi të Starmer të mbajtur të hënën në mëngjes, pas humbjeve të fundit elektorale të partisë. Ai pranoi se qeveria ka “bërë gabime”, por u zotua të provojë se kritikët e kanë gabim, duke premtuar forcimin e marrëdhënieve me Bashkimin Europian, nacionalizimin e industrisë së çelikut britanik dhe rritjen e mundësive për të rinjtë.
Sot në mëngjes, 12 maj, situata brenda kabinetit të tij duket edhe më e tensionuar.
Burime nga qeveria, shkruan BBC, thonë se kabineti është i ndarë në mënyrë të thellë për çështjen më thelbësore politike: nëse kryeministri duhet të vazhdojë në detyrë apo të largohet.
Sipas këtyre burimeve, disa ministra mendojnë se Starmer duhet të qëndrojë dhe të luftojë për postin, të tjerë kërkojnë që ai të vendosë një afat për largimin e tij, ndërsa një pjesë tjetër po përpiqet të menaxhojë situatën dhe të shmangë përshkallëzimin e krizës.
Në këtë klimë të tensionuar, çdo orë po sjell deklarata të reja nga deputetët laburistë që shprehin mungesë besimi ndaj kryeministrit, duke krijuar përshtypjen se një dramë politike ka nisur tashmë brenda Partisë Laburiste.





