Rreth 12.4 mijë shqiptarëve u është refuzuar hyrja në një nga vendet e Bashkimit Europian në vitin 2025, sipas të dhënave që janë publikuar nga Eurostat.

Shtetasit shqiptarë janë të dytit në Europë për numrin e lartë të refuzimeve për hyrje, vetëm pas Ukrainës me 27 mijë refuzime, një vend ku qytetarët i ikin luftës dhe për më tepër ka rreth 40 banorë, shumë më tepër se 2.4 milionë banorë që kanë mbetur në Shqipëri.

Sipas të dhënave të Eurostat, refuzimet më të mëdha për shtetasit shqiptarë ishin nga ajri (5,780), të ndjekur nga toka (5,500) dhe më pak nga deti (1,150). Shtetet që na kanë refuzuar më shumë janë Italia (3220), e ndjekur nga Greqia (2670). Në vend të tretë është Kroacia me 1580 refuzime, e ndjekur nga Irlanda, me 1280 refuzime, 990 në Hungari, 775 në Gjermani, 225 në Slloveni, 125 në Holandë, 120 në Austri, 28 në Maltë.

Europa
Sipas Eurostat, në vitin 2025, 132,600 shtetasve të vendeve të treta iu refuzua hyrja në BE në një nga kufijtë e saj të jashtëm, me një rritje prej 7.1% krahasuar me vitin 2024. Numri më i lartë i refuzimeve u regjistrua në Poloni (28,960, ose 21.8% e totalit të BE-së), pasuar nga Franca (12,210, ose 9.2%), Kroacia (12,090, ose 9.1%) dhe Spanja (10,610, ose 8.0%).

Në vitin 2025, numri më i lartë i shtetasve të vendeve të treta të cilëve iu refuzua hyrja në BE u regjistrua për ukrainasit (26,975), pasuar nga shqiptarët (12,430), moldavët (11,660), kolumbianët (6,565), turqit (5,635) dhe serbët (5,440), shumica prej tyre nga vende që ndajnë kufij tokësorë me BE-në.

Në nivel BE-je, numri më i lartë i refuzimeve të shtetasve shqiptarë u raportua në kufijtë ajrorë, ndërsa pjesa dërrmuese e refuzimeve për shtetasit ukrainas dhe moldavë u regjistrua në kufijtë tokësorë./Monitor.al