Ministrat europianë të Brendshëm pritet të diskutojnë këtë javë një plan të ri për emigracionin, që parashikon dërgimin e azilkërkuesve të refuzuar në qendra pritëse jashtë Bashkimit Europian.
Diskutimet do të zhvillohen në Moldavi, ndërsa në tryezë do të jetë ideja e krijimit të të ashtuquajturave “hubs” ose “qendra kthimi” në vende të treta, ku do të transferohen emigrantët që nuk marrin të drejtën e qëndrimit në Europë.
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Alain Berset, deklaroi se çështja tashmë po diskutohet në nivel europian dhe jo vetëm nga shtete të veçanta.
Sipas planit, shtetet europiane do të kenë më shumë kontroll mbi kufijtë dhe deportimin e emigrantëve të paligjshëm apo personave që kanë kryer vepra penale.
Njëkohësisht, ministrat pritet të miratojnë edhe një deklaratë politike që synon të kufizojë përdorimin e disa neneve të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut nga azilkërkuesit për të penguar dëbimin e tyre nga vendet europiane.
Plani ka shkaktuar reagime të forta nga organizatat për të drejtat e njeriut, të cilat paralajmërojnë se masa të tilla mund të dobësojnë mbrojtjen për refugjatët dhe personat që largohen nga luftërat apo persekutimet.
Sipas raportimeve, në diskutime për vendet pritëse janë përfshirë 12 shtete, mes tyre Ruanda, Tunizia, Egjipti, Libia, Gana dhe Etiopia.
Ndërkohë, të dhënat e Eurostat tregojnë se çdo vit rreth 450 mijë deri në 500 mijë shtetas nga vende jashtë BE-së marrin urdhër për t’u larguar nga Europa, por më pak se gjysma e tyre largohen realisht.





