Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti theksoi se vendi nuk kërkon rrugë të shkurtra apo derë të pasmë por një proces meritor për në BE.
Në një konferencë për mediat pas takimit me Komisioneren për Zgjerim të BE-së, Marta Kos, Kurti thase Kosova ndan vlera të përbashkëta me Unionin dhe është plotësisht e rreshtuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të tij.
Kurti kërkoi që aplikimi i Kosovës në Bashkimin Europian të avancojë.
“Janë bërë mbi 40 muaj që kur kemi aplikuar dhe momenti i ripërtërirë, i zgjerimit nga ana e Bashkimit Evropian, duhet të rezultojë me avancimin e merituar të Kosovës. Mbështetja publike për BE për anëtarësim në BE qëndron vazhdimisht rreth 90 për qind në vendin tonë dhe është ndër më të lartat nga të gjitha vendet kandidate. Jemi të vetëdijshëm për sfidat që ekzistojnë, por kërkohet unitet në angazhim”, tha Kurti.
Kurti deklaroi se Kosova ka bërë progres në shtylla themelore dhe se kjo meriton njohje nga Bashkimi Evropian në kontekst të zgjerimit.
“Nuk po kërkojmë as rrugë të shkurtra, as derë të pasme, vetëm proces meritor. Gjetja e unitetit brenda Bashkimit Evropian për të marrë vendime karshi Kosovës është detyrë e përbashkët. Sigurisht që ne po punojmë me shtetet anëtarë, por kërkohet që edhe institucionet e Bashkimit Evropian të shtyjnë këtë unitet përpara. Zgjerimi është mjeti më i suksesshëm i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian. Vakumi që len Bashkimi Evropian po synohet që të mbushet nga aktor të tjerë dashakëqij të cilët i minojnë vlerat e Bashkimit Evropian dhe rrezikojnë sigurinë tonë të përbashkët. Prandaj është përgjegjësia e gjithë neve që Kosova të avancojë në procesin e integrimit”, shtoi Kurti.
Kërkoi gjithashtu që Serbia të japë llogari për sulmet ndaj Kosovës.
“Kosova ka përjetuar dy sulme terroriste në tri vitet e fundit. Në Banjskë me 24 shtator 2019 dhe në kanalin Iber-Lepenc në infrastrukturë kritike me 2024, që të dyja këto të financuara nga fqinji ynë verior. Llogaridhënia për këto sulme është thelbësore, pasi pa llogaridhënie, rreziku ndaj sigurisë sonë mbetet i lartë. E kemi një fqinj agresor e agresiv që të sulmon në vend se të jetë bashkëpunues, kjo është sfidë sa për sigurinë, po aq edhe për bashkëpunimin rajonal”.





