Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, zhvilloi një takim me ministrin grek, Stavros Papastavrou, në kuadër të Konferenca e Energjisë në Athinë. Takimi u përqendrua te thellimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Greqisë në sektorin energjetik, si dhe te projektet strategjike që lidhin dy vendet.

Sipas Karakaçit, një ndër çështjet kryesore të diskutuara ishte ndërtimi i një linje të re interkonjeksioni mes dy vendeve, projekt që synon të forcojë sigurinë energjetike dhe të rrisë kapacitetet e shkëmbimit të energjisë në rajon.

Po ashtu, ministrat vlerësuan bashkëpunimin ndërmjet bursave të energjisë të Shqipërisë dhe Greqisë, duke theksuar se ky koordinim ka ndikuar në rritjen e eficiencës dhe sigurisë së transaksioneve energjetike.

“Me Ministrin e Energjisë dhe Mjedisit në Greqi, Stavros Papastavrou, në kuadër të Konferencës së Energjisë të mbajtur në Athinë, diskutuam mbi bashkëpunimin e deritanishëm mes dy vendeve tona dhe mbi projekte me rëndësi të përbashkët. Theksuam rëndësinë e një linje interkonjeksioni të re, që Shqipëria dhe Greqia po planifikojnë së bashku”, shkruan Karakaçi.

“Vlerësuam bashkëpunimin e mirë ndërmjet bursës shqiptare të energjisë dhe të Greqisë, që ka ofruar siguri të shtuar sa i takon operimit dhe efiçencës së transaksioneve”, thekson ministri.