Diego Armando Maradona mund të kishte mbijetuar me një trajtim të thjeshtë, sipas ish-mjekut të tij, gjatë një rigjykimi mbi vdekjen tragjike të ikonës së futbollit. Sipas Dr. Mario Schiter, një diuretik i thjeshtë mund të kishte përmirësuar shëndetin e Maradonës “brenda 48 orëve”, shkruan The Sun. Legjenda argjentinase ndërroi jetë në moshën 60-vjeçare në vitin 2020 nga infarkti në zemër, pak javë pasi i ishte nënshtruar një operacioni për heqjen e një mpiksjeje gjaku në tru.
Shtatë mjekë po përballen me akuza se e braktisën fituesin e Kupës së Botës teksa ai po përballej me një atak kardiak. Një tjetër ekspert i shëndetit deklaroi se Maradona kishte lëng të tepërt në disa organe kur ndërroi jetë. Carlos Casinelli, një mjek i përfshirë në proces, tha: “Ai kishte ujë kudo.” Ndërkohë, kardiologu i fundit që e trajtoi Maradonën përpara vdekjes, Oscar Franco, deklaroi se mjeku kryesor i tij, Leopoldo Luque, një nga shtatë të akuzuarit, kishte refuzuar të kryente teste të mëtejshme për të përjashtuar një sëmundje të zemrës. Franco shtoi: “Rekomandova teste më të detajuara për të përjashtuar sëmundjen e arterieve koronare. Por Luque vendosi kundër.”
Të gjithë të akuzuarit mohojnë çdo shkelje. Rigjykimi po zhvillohet në San Isidro, pranë Buenos Aires, ku afro 100 dëshmitarë po japin dëshmi për vdekjen e Maradonës. Çështja u rikthye pasi në maj u shpall një gabim procedural, kur u zbulua se gjyqtarja Julieta Makintach ishte intervistuar për një dokumentar gjatë procesit, duke shkelur rregullat gjyqësore dhe u detyrua të japë dorëheqjen. Procesi ka nxjerrë në pah pretendime tronditëse për mënyrën se si Maradona u trajtua nga stafi mjekësor, përfshirë edhe trajtimin si “kafshë”.





