Nga BUJAR QESJA

Ka lajme që vijnë ngadalë në zemër dhe nuk pranohen lehtë. Ka ikje që lënë boshllëk, jo vetëm në një familje, por në një qytet të tërë. E tillë është edhe ndarja nga jeta e Isuf Kapidanit, prej emrave më të njohur të arsimit durrsak, intelektual i respektuar dhe qytetar model. Pas një sëmundjeje të gjatë dhe përballjeje të jashtëzakonshme me jetën, mbylli sytë duke lënë pas dhimbje, kujtime dhe mirënjohje të pafundme.

Luftoi shumë. Me vendosmëri, me kurajo dhe me optimizëm. U përball me sprova të rënda, me operacione dhe vuajtje, por deri në fund nuk hoqi dorë nga dëshira për jetën. Ishte nga ata njerëz, që edhe në ditët më të vështira përcillnin qetësi, forcë dhe shpresë. Kjo e bënte Isufin të veçantë. Nuk u dorëzua kurrë.

Me largimin e tij, Durrësi humbi një intelektual të njohur, një arsimtar me emër dhe një qytetar plot krenari, ndërsa familja humbi njeriun e saj më të dashur, shtyllën e ngrohtësisë, të mençurisë dhe të dashurisë njerëzore.

Historia e familjes Kapidani, është histori qytetarie. Origjina e tyre është nga Ulqini dhe familja u vendos në Durrës, gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, duke u bërë më pas pjesë e pandarë e jetës qytetare durrsake. Gjyshi i Isufit, Ahmet Kapidani, ishte figurë e njohur e kohës së Mbretërisë Shqiptare. Mbahet mend, si kapiteni i parë i flotës civile të Mbretit Ahmet Zogu, profesionist shumë i aftë dhe me reputacion. Me pushtimin italian të vendit, largohet nga kjo detyrë, por emri i tij mbeti i respektuar ndër breza.

Babai i Isufit, Sulejman Kapidani, ishte spedicioner i njohur në Durrës, njeri i punës dhe i komunikimit me njerëzit. Ai dhe bashkëshortja, rritën pesë fëmijë, të gjithë me kulturë, edukatë dhe reputacion të mirë në qytet. Shyqyri Kapidani u bë ekonomist i njohur, Masar Kapidani farmacist i diplomuar në Hungari, ndërsa motrat Gjylnare dhe Meleqe u vlerësuan për qytetarinë dhe kulturën e tyre familjare. Më i vogli i familjes ishte Isufi, që do të bëhej më pas, emër shumë popullor në arsimin durrsak.

Që herët, Isufi tregoi prirje për dijen dhe shkollën. Përfundoi studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Biologji-Kimisë, degë që kërkonte përkushtim, disiplinë dhe dashuri për shkencën. Ishte koha kur mësuesit formoheshin me seriozitet dhe gjykoheshin si misionarë të dijes. I tillë ishte dhre mbeti Isuf Kapidani.

Fillimet në arsim ishin në Qerret të Durrësit, për të vazhduar më pas në Lushnje. Kudo ku punoi, la gjurmë të mira, fitoi respektin e kolegëve dhe dashurinë e nxënësve. Më vonë transferohet në gjimnazin “16 Shtatori” të Shijakut, ku do të niste edhe historia e bukur e dashurisë së jetës.

Aty njohu Lilin, nxënësen simpatike nga familja e njohur Sinjari, me prejardhje boshnjake nga ana e të atit dhe nga familja e respektuar Metalla, nga ana nënës. Ishte një histori dashurie, që bëri bujë në atë kohë. Profesori dhe nxënësja u dashuruan sinqerisht dhe krijuan një çift shumë simpatik, të dashur dhe të respektuar nga të gjithë. Nga martesa e tyre lindën tre fëmijë, Irisi, Genti dhe Viola, krenaria dhe lumturia e jetës së tyre.

Irisi ndërtoi karrierën si bankiere, Gentin jeta e çoi në emigracion, ndërsa Viola u bë veterinere. Ata trashëguan nga prindërit edukatën, ndershmërinë dhe dashurinë për njerëzit. Isufi ishte babai që i donte shumë fëmijët, njeriu që jetonte për familjen dhe që ndihej krenar për rrugën e tyre në jetë.

Por jeta e Isuf Kapidanit, nuk u kufizua vetëm në arsim. Ishte aktiv edhe në zhvillimet demokratike të vendit, në kohën kur Shqipëria kërkonte liri dhe ndryshim. Ishte ndër anëtarët e parë të Këshillit Bashkiak të Durrësit, duke u angazhuar me seriozitet dhe ndershmëri, në jetën publike të qytetit. Besonte tek demokracia, tek fjala e lirë dhe te qytetaria aktive.

Në arsim mbajti detyra me përgjegjësi. Drejtoi shkollën Teknologjike dhe më pas jep mësim në gjimnazin “Olsi Lasko” në Shkozet, ku spikati si drejtues korrekt, komunikues dhe shumë njerëzor. Edhe pas daljes në pension, nuk u shkëput nga arsimi. Punoi në disa shkolla private, duke vazhduar të japë ndihmesën e tij me të njëjtin pasion dhe dashuri për nxënësit.

Kjo jetë e gjatë në arsim, bëri që Isuf Kapidani të kishte njohje shumë të gjerë. Kishte miq pa fund, shokë të shumtë dhe mbi të gjitha mijëra nxënës, që nuk e harruan profesorin e tyre. Ishte nga ata mësues, që nuk mbeteshin vetëm tek libri dhe mësimi. Edukonte me shembullin personal, me sjelljen, me komunikimin dhe me respektin për njeriun.

I donte njerëzit. Respektonte si qytetarin e thjeshtë, ashtu edhe kuadrin drejtues. Nuk bënte dallime. Ishte i afërt, i buzëqeshur dhe i gatshëm për të ndihmuar. Kjo e bëri shumë të dashur dhe shumë të respektuar në Durrës.

Po aq aktiv, ishte edhe në jetën shoqërore. Anëtar aktivi i Shoqatës “Durrësi” dhe në Shoqatën “Ulqini”, duke mbajtur gjallë lidhjet me traditat, kulturën dhe origjinën e familjes. Ishte krenar për rrënjët dhe njëkohësisht, krenar për qytetin ku jetoi.

Tani, kur Isuf Kapidani nuk jeton më fizikisht, mbetet emri, kujtimi dhe vepra e tij. Mbetet profesori i dashur, drejtuesi korrekt, qytetari fisnik dhe njeriu me zemër të madhe. Mbetet shembulli i njeriut, që jetoi me krenari dhe që i la familjes nam të mirë, ashtu siç thuhet rëndom për njerëzit e rrallë.

Dhimbja është e madhe për bashkëshorten Lili, për fëmijët Irisi, Genti dhe Viola, për të afërmit, miqtë, kolegët dhe ishnxënësit e shumtë, që e kujtojnë me mall e respekt. Por krahas dhimbjes mbetet edhe krenaria, që patën në jetën e tyre një njeri si Isuf Kapidani.

Do ta kujtojmë gjithmonë me respekt. Do ta kujtojmë si profesorin që edukoi breza. Si qytetarin e mirë të Durrësit. Si mikun e dashur dhe njeriun e buzëqeshur. Si njeriun që luftoi deri në fund për jetën.

Dheu i lehtë Isuf Kapidani!

Bujar Qesja

Durrës: 21 maj 2026