Ka nisur në gjykatën e Durrësit seanca gjyqësore për dhënien e masës së sigurisë 44-vjeçarit Rezart Abazaj, i cili, në fundjavë, në gjendje të dehur, goditi me makinë automjetin e policisë, në tentativë për t’u larguar.

Incidenti i rrezikshëm u regjistrua në qytetin bregdetar, mbrëmjen e së shtunës, në zonën e ish-Kënetës, vetëm pak metra larg vendit ku ndodhi aksidenti tragjik që la të vdekur dy të mitur dhe plagosi një të tretë.

Patrulla ishte njoftuar nga banorë të zonës për një drejtues që lëvizte me shpejtësi dhe në mënyrë të pakontrolluar në lagjen 17. Gjatë ndjekjes, në përpjekje për t’i shpëtuar policisë, Abazaj ka lëvizur mbrapsht dhe ka përplasur mjetin e efektivëve.

Pas arrestimit në flagrancë, testi i alkoolit tregoi se Rezart Abazaj drejtonte mjetin me 1.4 mg/l alkool, ndërsa rezulton përsëritës për të njëjtën vepër penale. Edhe më 5 mars ai ishte arrestuar në gjendje të dehur pas një incidenti rrugor, por ishte lënë në masën “detyrim paraqitjeje” me vendim gjykate duke e rikthyer sërish në rrugë e vënė në rrezik për jetën banorët dhe punonjësit e policisë.