Kryeministri i ri hungarez, Peter Magyar tha se do të ishte më mirë nëse BE, përpara Ukrainës, do të pranonte si kandidatë të hershëm vende të Ballkanit Perëndimor, sepse përndryshe do të humbiste besueshmëria në rajon.

“Sa i përket pranimit në anëtarësim, dua t’i inkurajoj vendet evropiane që, përpara se të tjerëve t’u premtohet ndonjë lloj statusi, ato duhet të lejojnë në BE ata kandidatë që janë përgatitur për shumë vite, që kanë hequr dorë nga shumë gjëra, kanë marrë shumë detyrime dhe kanë marrë shumë premtime“, tha hungarezi në një intervistë me agjencinë austriake APA.

Kryeministri hungarez tha se ka frikë se përndryshe BE-ja do të humbiste besueshmërinë në vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Ne e dimë se stabiliteti dhe siguria e Ballkanit nuk janë vetëm në interes të Ballkanit, por edhe të Evropës. Kjo është arsyeja pse dua t’i inkurajoj të gjithë të përmbushin atë që premtuam më parë, përpara se të bëhen premtime të ndryshme në emër të Bashkimit Evropian”, tha Magyar, i cili bëri vizitën e tij të parë në Austri si kryeministër të enjten.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse, siç premtoi, një referendum për hyrjen e Ukrainës në BE do të mbahet në Hungari, hungarezi tha se do të mbahet, por se nuk ishte një rast unik.

Jemi shumë larg kësaj, pasi Ukraina nuk do të hyjë në BE nesër ose pasnesër, por, nëse do të hyjë fare, të paktën pas dhjetë vjetësh. Por nuk është vetëm mendimi i Hungarisë, por pothuajse i të gjitha qeverive evropiane se nuk ka dy mënyra për të hyrë në BE”, tha ai.

Ai theksoi se kushdo që dëshiron të anëtarësohet në BE “duhet të kalojë nëpër të njëjtat procedura, të përmbushë të njëjtat kërkesa”. Sipas tij, Hungaria synon vërtet të mbajë një referendum për pranimin e Ukrainës, por vetëm kur të mbarojë lufta me Rusinë dhe nëse Kievi ende e dëshiron atë anëtarësim.

Megjithatë, nuk jemi vetëm në këtë, sepse referendumet për pranimin” e disa vendeve në BE janë mbajtur tashmë në një numër vendesh, tha ai.