Një qendër tregtare në qytetin Kashima të Japonisë u dëmtua rëndë nga tërmeti i fuqishëm i së martës, ndërsa një shpërthim i dyshuar nga rrjedhja e gazit shkatërroi një pjesë të ndërtesës.
Qendra tregtare Aeon Mall ishte ndër strukturat më të goditura. Kati i dytë u shemb gjatë lëkundjeve, ndërsa pak më vonë ndodhi një shpërthim i fuqishëm që shkaktoi dëme të mëdha. Qindra blerës dhe punonjës u evakuuan, por autoritetet besojnë se një numër i panjohur personash mbetën të bllokuar nën rrënoja.
“Dukej sikur kishte shpërthyer një bombë”, tha Takateru Sonoda, pronar i një salloni flokësh dhe një kafeneje pranë qendrës tregtare. Sipas tij, sirenat ranë menjëherë, njerëzit vraponin për t’u larguar dhe rrugët u bllokuan nga paniku.
Autoritetet kanë dërguar rreth 170 ushtarë në vendngjarje për të ndihmuar operacionet e kërkim-shpëtimit.
Punonjësit e qendrës tregtare thanë se ndërtesa u lëkund për rreth 10 sekonda dhe u mbush me pluhur. Stafi evakuoi klientët sipas protokollit, por disa persona u kthyen në ndërtesë përpara se të ndodhte shpërthimi.
Një tjetër dëshmitar, Kazuya Tsurunaga, i cili ndodhej rreth 300 metra larg, tha se pas shpërthimit u ngrit një re e madhe tymi dhe hiri u përhap në zonë “si hi vullkanik”.
Pamjet e publikuara nga mediat japoneze tregojnë momentet dramatike pas tërmetit dhe dëmet e mëdha të shkaktuara në qendrën tregtare, e cila ishte rihapur vetëm muajin e kaluar pas restaurimit nga tërmeti i vitit 2016.





