Një shpërthim me tritol ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Shkozë, Tiranë në një market, ngjarje e cila dyshohet si hakmarrje. Sipas policisë, tritoli ishte fshehur në pjesën e jashtme të marketit, te motori i kondicionerit.
Marketi ku u vendos tritoli në orët e para të mëngjesit në Shkozë është në pronësi të Lulzim Likës, babait të Aldo dhe Ali Lika, të shpallur në kërkim për atentatin e një jave më parë ndaj Kejdi Spajës, ku mbeti i plagosur polici Anxhelo Kumaraku.
Ngjitur me marketin ndodhet edhe një lokal i cili është në pronësi të vëllait tjetër të Likëve.
Ngjarja dyshohet të jetë hakmarrje e atentatit të 18 majit, megjithatë deri tani nuk dihet autori. Ai është i maskuar mirë dhe largohet nëpër rrugica në këmbë.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Informacione paraprake
-Rreth orës 04:15, në rrugën “Ramazan Gaxheri”, në pjesën e jashtme të një marketi, dyshohet se te motori i kondicionerit, ka shpërthyer një sasi lënde e dyshuar plasëse.
Nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve, si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.





