Ushqimi që konsumojmë ka ndikim të drejtpërdrejtë në gjendjen shpirtërore dhe humorin e përditshëm, sipas studimeve të ndryshme në fushën e të ushqyerit dhe shëndetit mendor.
Studiuesit shpjegojnë se disa ushqime ndikojnë në prodhimin e substancave në tru si serotonina, dopamina dhe norepinefrina, të cilat lidhen me ndjenjën e mirëqenies dhe energjisë. Në këtë mënyrë, mënyra e ushqyerjes mund të ndikojë edhe në përqendrim, gjumë dhe gjendjen emocionale.
Proteinat, që gjenden tek mishi, peshku dhe shpendët, ndihmojnë në prodhimin e aminoacideve që mbështesin funksionin e trurit dhe energjinë. Mungesa e tyre mund të lidhet me lodhje, vështirësi në përqendrim dhe ndryshime në humor.
Karbohidratet, si buka, makaronat, frutat dhe drithërat, ndikojnë në qetësimin e organizmit dhe stabilizimin e energjisë. Megjithatë, dietat shumë të varfra në karbohidrate janë lidhur në disa raste me rënie të humorit.
Nga ana tjetër, mungesa e disa elementëve si acidi folik është lidhur me rritje të rrezikut për gjendje të ulët emocionale. Ushqime si spinaqi dhe agrumet mund të ndihmojnë në plotësimin e këtyre nevojave.
Gjithashtu, ushqimet e pasura me sheqer dhe yndyra të tepërta mund të ndikojnë negativisht në organizëm dhe në balancën e insulinës, gjë që lidhet edhe me ndryshime në humor.
Edhe çokollata është përmendur në disa studime si ushqim që mund të ndikojë pozitivisht në ndjenjën e mirëqenies, për shkak të substancave që nxisin prodhimin e hormoneve të kënaqësisë, por efektet e saj varen nga sasia e konsumuar.
Në përgjithësi, specialistët këshillojnë një ushqyerje të balancuar, pasi ajo lidhet ngushtë jo vetëm me shëndetin fizik, por edhe me gjendjen emocionale të njeriut.





