Është arrestuar në Spanjë, Kevin Margjoni, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi GJKKO kishte caktuar masën “Arrest në burg” për trafik droge.
49 vjeçari Margjoni ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi SPAK e akuzon si një nga personat e përfshirë në laboratorin e kokainës të zbuluar në Frakull të Fierit, informon gazetarja Xhensila Kodra.
Laboratori i kokainës në Frakull ishte një nga goditjet e SPAK në muajin mars të këtij viti sa i përket trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës dhe Shqipërisë. Margjoni ishte një prej dy personave të shpallur në kërkim, ndërsa më herët ishin arrestuar 3 persona të tjerë.
Tashmë pritet bashkëpunimi me autoritetet spanjolle dhe Interpol për ekstradimin e Margjonit drejt Shqipërisë.
Njoftimi:
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me homologët në Madrid, është kapur në Spanjë dhe është arrestuar me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi Kevin Margjoni, 49 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi GjKKO-ja i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.





