The Guardian ka publikuar një analizë për situatën politike dhe ekonomike në Turqi, duke paralajmëruar se rezultati i zgjedhjeve të ardhshme mund të jetë përcaktuar që përpara se qytetarët të votojnë.
Sipas medias britanike, zhvillimet e fundit tregojnë një dobësim të opozitës dhe forcim të kontrollit të presidentit Recep Tayyip Erdoğan mbi institucionet dhe jetën politike në vend.
Analiza ndalet te vendimi i një gjykate apeli për anulimin e procesit të zgjedhjes së drejtuesit të Partisë Popullore Republikane (CHP), ku u largua lideri Özgür Özel dhe u rikthye në krye Kemal Kılıçdaroğlu.
Sipas Guardian, Özel kishte ringjallur opozitën pas suksesit të CHP-së në zgjedhjet lokale të vitit 2024, ku partia mposhti rëndë partinë në pushtet AKP.
Media britanike thekson se qindra figura të opozitës janë arrestuar, ndërsa organizata Human Rights Watch ka akuzuar sistemin gjyqësor turk se po përdoret si armë kundër kundërshtarëve politikë.
Në analizë përmendet edhe rasti i kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem İmamoğlu, i cili po përballet me një proces gjyqësor për korrupsion. Sipas raportimeve, ai rrezikon një dënim shumë të rëndë nëse shpallet fajtor për të gjitha akuzat.
Guardian shkruan se Erdogan ka ndjekur një kurs gjithnjë e më autoritar që prej ardhjes në pushtet në vitin 2003, sidomos pas protestave të Parkut Gezi dhe tentativës për grusht shteti në vitin 2016.
Sipas analizës, presidenti turk ka forcuar pushtetin presidencial, ndërsa media dhe shoqëria civile janë vënë nën kontroll të fortë.
Nga ana tjetër, ekonomia turke vazhdon të përballet me krizë të thellë. Inflacioni i lartë dhe zhvlerësimi rekord i lirës turke po ndikojnë në mbështetjen ndaj Erdoganit.
Pas anulimit të kandidaturës së Özel, tregu financiar në Turqi ra me 6%, ndërsa lira arriti nivele historike të ulëta.
Megjithatë, Guardian thekson se Erdogan vazhdon të ruajë mbështetje të konsiderueshme brenda vendit dhe marrëdhënie të forta ndërkombëtare, duke menaxhuar konfliktet në Lindjen e Mesme, Ukrainë dhe Siri.
Analiza përfundon me paralajmërimin se demokracia në Turqi nuk rrezikohet vetëm nga mënyra e votimit, por edhe nga kufizimi i mundësisë së opozitës për të kandiduar dhe për t’u dëgjuar.





