Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, deklaroi këtë të martë se objektivi i Izraelit është “rrëzimi i Iranit”, ndërsa paralajmëroi kundërpërgjigje masive për çdo sulm të Hezbollahut nga Libani.
“Po ndryshojmë Lindjen e Mesme. Irani është shumë më i dobët sot, edhe pse ende nuk është shembur – dhe ky është gjithashtu një objektiv që do ta arrijmë, me ndihmën e Zotit”, u shpreh Smotrich.
Ministri i ekstremit të djathtë theksoi se Izraeli do të godasë armiqtë e tij “jo me një goditje, por me 100 goditje”.
“Nuk kemi mbaruar ende. Lufta duhet të përfundojë pa Hamas në Gaza. Pikë”, deklaroi ai.
Duke iu referuar situatës në rajon, Smotrich tha:
“Shikoni si duket Gaza. Shikoni si duket Libani. Po ndryshojmë plotësisht ekuacionet.”
Ai kërcënoi gjithashtu me reagime të ashpra ndaj Hezbollahut, duke deklaruar se për çdo dron që sulmon Izraelin, do të shkatërrohen dhjetëra ndërtesa në Bejrut.
“Mënyra më efektive për të ndalur Hezbollahun është të shpallim se për çdo dron që sulmon, 10 ndërtesa në Bejrut do të shkatërrohen. Nëse janë shtatë dronë, atëherë 70 ndërtesa. Nëse janë 15, atëherë 150. Dhe nëse mbarojnë ndërtesat në Bejrut, atëherë do të kalojmë në Tiro, Sidon dhe në luginën Bekaa”, tha ai.
Smotrich shtoi se Izraeli kontrollon tashmë rreth 60% të Rripit të Gazës dhe paralajmëroi se nuk do të ketë rindërtim pa çmilitarizim dhe pa “shkatërrimin e Hamasit”.
“Jemi në 60% të Gazës dhe nuk do të ketë rindërtim pa çmilitarizim dhe pa përfundimin e misionit – shkatërrimin e Hamasit”, deklaroi ai.
Në fund, ai vlerësoi mbështetjen e administratës amerikane, duke iu referuar qeverisë Trump:
“Kemi qeverinë më mbështetëse që ka ekzistuar ndonjëherë në Shtëpinë e Bardhë. Nuk ka pasur kurrë diçka të ngjashme.”





