Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Emiljano Shullazit dhe anëtarëve të grupit të tij, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit të GJKKO për dënimin e tyre me gjithsej 43 vite burg.
Vendimi është marrë nga gjyqtarët Ilir Panda, Genti Shala dhe Enton Dhimitri, të cilët kanë konfirmuar dënimet për katër të akuzuarit, të shpallur fajtorë për “gjobëvënie” dhe “grup të strukturuar kriminal”.
Sipas vendimit, Emiljano Shullazi është dënuar me 14 vite burg. Endrit Qyqja dhe Endrit Zela do të vuajnë nga 10 vite burg secili, ndërsa Blerim Shullazi është dënuar me 9 vite burg.
Për Gilmando Danin, i cili ishte dënuar me 12 vite burg, Gjykata e Lartë vendosi mospranimin e rekursit për shkak se ai ka ndërruar jetë.
Dani u vra në një atentat mafioz në nëntor të vitit 2025 pranë rrethrrotullimit të Rinasit, së bashku me efektivin e AMP-së, Mustafa Sheqeri.
Ndërkohë, Emiljano Shullazi vijon të mbahet në burg edhe për dy hetime të tjera të SPAK, që lidhen me operacionet “Asgjë nuk harrohet” dhe “Revanshi”.





