Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni i kërkon Bashkimit Evropian të marrë masa për të parandaluar përhapjen e mundshme të virusit të Ebolas që ka shpërthyer në Kongo, dhe që ka vrarë deri më tani mbi 220 persona.
Letra i është dërguar presidentit qipriot që mban aktualisht presidencën e BE-së Nikos Christodoulides, Presidentit të Këshillit Evropian Antonio Costa dhe Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
“BE-ja duhet të forcojë koordinimin në monitorimin e mbërritjeve nga zonat e prekura. Qëllimi është të nxisim, duke respektuar prerogativat kombëtare të mbrojtjes së shëndetit, një koordinim të forcuar të mbikëqyrjes kufitare përmes rregullave të përbashkëta për menaxhimin e mbërritjeve të drejtpërdrejta dhe të tërthorta nga zonat e prekura.”, thotë Meloni.
Meloni ka propozuar shtimin e temës së menaxhimit të kufijve në axhendën e Këshillit Evropian të 18-19 qershorit 2026. Në funksion të këtij takimi, qeveria italiane ka kërkuar që koordinimi për këtë çështje të paraqitet në një videokonferencë të Ministrave të Shëndetësisë që javën e ardhshme dhe në Këshillin EPSCO më 16 qershor për të përcaktuar prioritetet operacionale.





