Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka urdhëruar ushtrinë të zgjerojë më tej kontrollin në Rripin e Gazës, duke deklaruar se objektivi është marrja nën kontroll e 70% të territorit.

“Aktualisht kontrollojmë 60% të Gazës. Udhëzimi im është të arrijmë në 70%”, tha Netanyahu gjatë një konference në Bregun Perëndimor, pa dhënë një afat konkret për realizimin e planit.

Sipas marrëveshjes së armëpushimit të mbështetur nga SHBA dhe që hyri në fuqi tetorin e kaluar, Izraeli kishte marrë kontrollin e rreth 53% të Rripit të Gazës. Marrëveshja parashikonte tërheqje graduale të forcave izraelite dhe çarmatimin e Hamasit, por kjo nuk është zbatuar plotësisht.

Përplasjet kanë vazhduar në periudha të ndryshme, ndërsa Izraeli ka shtuar praninë ushtarake në territor dhe Hamasi nuk ka dorëzuar armët apo kontrollin e zonave që administron.

Ndërkohë, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) njoftuan se në një sulm ajror në Gaza u vra Imad Aslim, zëvendëskomandanti i Brigadës së Qytetit të Gazës të Hamasit.

Sipas ushtrisë izraelite, Aslim ishte edhe komandant i Batalionit Zeitoun dhe kishte drejtuar këtë njësi gjatë sulmit të 7 tetorit 2023 në jug të Izraelit.

IDF pretendon gjithashtu se Aslim ishte i përfshirë kohët e fundit në planifikimin e sulmeve kundër forcave izraelite dhe konsiderohej “kërcënim i drejtpërdrejtë”.

Ushtria izraelite bëri të ditur se në vendin e sulmit dyshohet të ketë qenë edhe Iz al-Din Bek, komandant i Brigadës Veriore të Hamasit në Gaza, por deri tani nuk është konfirmuar nëse ai është vrarë.

Lufta në Gaza nisi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 në jug të Izraelit, ku u vranë rreth 1,200 persona dhe u morën peng 250 të tjerë. Konflikti që pasoi ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima palestineze dhe shkatërrime masive në territorin e Gazës.