Një person transgjinor në Shqipëri për herë të parë do të mund të paraqitet te mjeku i familjes për të kërkuar një vizitë me një mjek endokrinolog në QSUT dhe për të nisur një terapi hormonale, që do ta ndihmonte drejt kalimit në gjininë me të cilën vetidentifikohet, e që nuk përputhet me seksin e tij biologjik.

Pasi kalon në sistemin e referimit, në shërbimin e endokrinologjisë në QSUT hapet një kartelë, ku personi transgjinor do të ndiqet gjatë gjithë kohës nga mjekët sipas praktikës të caktuar për herë të parë në vendin tonë më 28 prill të këëtij viti, nga Ministria e Shëndetësisë.

Nëse një person i lindur burrë kërkon të arrijë identitetin gjinor të një vajzë, apo anasjelltas, atëherë një komision ndërdisiplinor me psikologë, psikiatër, onkolog, gjinekolog, androlog, endikronolog, apo edhe specialistë të tjerë sipas nevojës, do të vendosin në lidhje me terapinë hormonale që duhet ndjekur dhe mënyrën e monitorimit gjatë këëtij tranzicioni. Kjo lidhet me moshën e pacientit, me gjendjen e tij shëndetësore dhe elementë të tjerë, të cilat do të jenë përcaktuese për përshtatjen e nivelit të hormoneve që duhen marrë, edhe përballë rrezikut të efekteve anësore që ato shfaqin kur jepen mbi normat e lejuara.

Deri para këtij udhëzimi të Ministrisë së Shëndetësisë, personat transgjinorë bënin trajtime hormonale jashtë vendit, apo i blinin ato në farmaci nën dorë, duke qenë se asnjë mjek deri dje nuk mund të lëshonte një recetë për trajtimin hormonal për të arritur tranzicionin e identitetit gjinor.

Ndërkaq në QSUT do të bëhet gjithçka është e nevojshme për terapinë, vlerësimet mjekësore dhe psikosociale, analizat hormonale dhe ekzaminimet laboratorike. Por hormonet do të merren në farmaci, me recetë mjeku, por pa rimbursim. Nuk dihet nëse më tej, hormonet që mjekët caktojnë për transgjinorët, do të futen apo jo edhe në listën e rimbursimit.

Terapia mund të nisë nga mosha 16 vjeç, ndërsa në raste të veçanta, mund të konsiderohet edhe nga mosha 14 vjeç. Në këtë rast, siç burimet thonë për Report Tv, prevalon aprovimi i prindërve, në rast të kundërt nuk mund të bëhet asnjë veprim nga ekipi mjekësor.