Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë (VUSH) ka reaguar publikisht lidhur me udhëzimin e ministrisë së Shëndetësisë për terapinë hormonale për personat transgjinorë, e cila pritet të ofrohet nga shërbimit publik shëndetësor në vend, në QSUT.
Përmes një deklarate publike, VUSH shpreh shqetësimin për atë që e cilëson si “zhvillim të ideologjisë gjinore”, duke theksuar se familja tradicionale, e cila mbetet në qendër të besimit dhe vlerave që organizata përfaqëson, po cenohet.
“Ne ndajmë shqetësimin se familja tradicionale po cenohet përmes nismave dhe këtyre zhvillimeve të fundit. Qëndrimi pro familjes, mbështetja për vlerat e familjes tradicionale, burrë dhe grua, siç e njeh edhe Kodi i Familjes i Republikës së Shqipërisë, i jep të drejtën çdo qytetari shqiptar për t’i artikuluar dhe mbrojtur këto qëndrime publikisht”, thuhet në reagimin e tyre.
Sipas VUSH-it, identiteti njerëzor si mashkull dhe femër është i dhënë nga Zoti dhe nuk mund të ndryshohet nga vullneti i individit.
Në reagim përmendet edhe pastori Akil Pano, për të cilin VUSH shpreh mbështetje përballë “gjuhës së rënduar publike, sulmeve personale dhe përpjekjeve për stigmatizim”.
Reagimi i plotë:
DEKLARATË PUBLIKE
Si Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë jemi duke ndjekur zhvillimet mbi ideologjine gjinore dhe së fundmi me terapinë që pritet të lejohet pranë QSUT-së. Ne kemi familjen në qendër të besimit tonë dhe të vlerave biblike që përfaqësojmë. Besojmë se mbrojtja e familjes, siç e njeh Bibla, tradita dhe legjislacioni shqiptar, mbetet një vlerë themelore për shoqërinë tonë.
Bibla mëson se ekziston vetëm një Zot që është Krijuesi dhe Zot i të gjithëve. Asnjë nuk mund ta njohë veten pa e njohur me të vërtetë Atë që na krijoi. Identiteti ynë i vërtetë, si meshkuj dhe femra, është dhënë nga Zoti. Nuk është vetëm marrëzi, por është dhe e pashpresë, të përpiqemi ta bëjmë veten ashtu siç Zoti nuk na krijoi që të jemi. Ne theksojmë se jemi plotësisht në mbështetje të vlerës dhe dinjitetit të çdo qenieje njerëzore, si burra dhe gra, të krijuar në shëmbëlltyrën e Perëndisë.
Ne ndajmë shqetësimin se familja tradicionale po cenohet përmes nismave dhe këtyre zhvillimeve të fundit. Qëndrimi pro familjes, mbështetja për vlerat e familjes tradicionale, burrë dhe grua, siç e njeh edhe Kodi i Familjes i Republikës së Shqipërisë, i jep të drejtën çdo qytetari shqiptar për t’i artikuluar dhe mbrojtur këto qëndrime publikisht.
Pastor Akil Pano ka qenë një zë i njohur në mbështetje të familjes tradicionale dhe vlerave të saj, duke kontribuar prej vitesh në jetën shpirtërore, sociale dhe komunitare. Ne shprehim mbështetjen tonë për Pastor Akil Pano dhe familjen e tij, përballë gjuhës së rënduar publike, sulmeve personale dhe përpjekjeve për stigmatizim, që cenojnë individin, por edhe çdo pastor ose klerik që ushtron detyrën e tij.
Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë nuk mbështet asnjë vepër e cila cënon zhvillimin dhe mirëqeverisjen e Institucionit Themelor të Shoqërisë Njerëzore në kombin tonë Shqiptar.
Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë kundërshton çdo propagandë e cila po tenton dhe manifeston në forma te ndryshme të denigrojë dhe shkatërrojë institucionin e familjes në kombin tonë.
I bëjmë thirrje opinionit publik që të ruajë maturinë, respektin dhe përgjegjësinë në komunikim, duke mbrojtur dinjitetin e familjes, rolin e pastorit në shoqëri dhe të drejtën e secilit për të shprehur bindjet e veta në paqe dhe dinjitet.
Komiteti Ekzekutiv
Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë





